Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nuk jemi më të mirët

Zhvillimet e ditëve të fundit në skenën politike të Kosovës kanë qenë test për Qeverinë dhe skenën politike në përgjithësi, rrjedhimisht edhe për mediat, për profesionalizmin dhe qëndrueshmërinë e tyre.

Derisa jemi në kohë të fushatës zgjedhore, nuk do të bëj një vlerësim të asaj që kemi parë deri më tani, ndonëse kjo është temë shumë e mirë. Këtë e them posaçërisht për shkak të faktit se sivjet kemi pasur dy palë zgjedhje në Kosovë, zgjedhje në Shqipëri, e Maqedoni të Veriut dhe rishtazi kemi pasur zgjedhje edhe në Mal të Zi dhe një krahasim i mirë i këtyre zhvillimeve do të tregonte qartë nivelin e demokratizimit të popujve të rajonit.

Gjendja nuk është më e mira

Në këtë shkrim më duhet të merrem kryesisht me gjendjen në veri të Kosovës dhe rolin e mediave në këtë situatë.

Besoj shumë nga ju e keni parë një video ku shihen ca automjete të mëdha duke lëvizur dhe keni lexuar se si “ushtria serbe afrohet drejt Kosovës”. Në atë video, që e kanë publikuar shumë media në Kosovë, nuk shihet asnjë shenjë identifikuese ushtarake në vetura që do të mund të dokumentonte se fjala është për ushtrinë serbe, asnjë sinjalizim rrugor që tregon se xhirimi është bërë në Serbi, nuk ka asnjë dëshmi se xhirimi nuk është bërë më herët dikur, kurse “burimi” i pamjeve është një llogari në Twitter, që duket si troll.

Duke lëshuar postime të tilla të pavërtetuara, shembull për  “artilerinë e rëndë”, pa u parë armatimi artilerik askund, mediat më shumë kanë përhapur dezinformata dhe panik sesa informata.

Situata në veri, kuptohet është “shans që nuk lëshohet” për një tjetër zhanër medial – debatet televizive.

Në këto debate, ditëve të fundit kemi pasur raste të dëgjojmë analiza të tipit “FSK do të duhej të ishte në veri” ose “Kurti vetëm po zbaton marrëveshjen”, kur e para është e pamundshme, kurse e dyta e pavërtetë.

Marrëveshja Tekniko Ushtarake në Kumanovë, marrëveshja ndërmjet Qeverisë së Kosovës dhe NATO-s, rezoluta 1244 dhe dokumente tjera relevante, saktësojnë se përgjegjësinë për ruajtjen e kufijve të Kosovës e ka KFOR-i dhe se FSK-ja në veri mund të angazhohet vetëm me leje të KFOR-it.

Për më tepër, e njëjta marrëveshje e Kumanovës parasheh që KFOR-i të lajmërohet edhe në rast se forcat ushtarake nga ana serbe do t’i afrohen Kosovës brenda Zonës së Sigurisë Tokësore (5 km) dhe Zonës së Sigurisë Ajrore (25 km).

Asnjë nga këto fakte dhe pjesë të dokumenteve nuk kanë qenë tema në debatet televizive ku jepeshin opinione për situatën e sigurisë.

Sa i përket asaj që “Kurti po zbaton marrëveshjen”, realiteti dhe deklarimet e Kryeministrit Kurti janë të kundërta me këtë qëndrim.

Kryeministri në fakt ka deklaruar se pasi marrëveshja ka skaduar (15 shtator), atij i është mundësuar që të dërgojë forcat speciale të Policisë afër pikave kufitare në veri të Kosovës, me qëllim që të sigurohen se zbatohet reciprociteti për tabela.

Në marrëveshjen aranzhimet finale të marrëveshjes për lëvizjen e lirë të vitit 2011, të nënshkruar në Bruksel 14 shtator 2016, po ashtu thuhet se Kosova do të zgjasë vlefshmërinë e tabelave KS për pesë vite në fund të së cilës çështja do të shqyrtohet nga të dyja palët (me ndihmën e BE-së nëse është kërkohet).

Prapë, opinionistë të shumtë janë marrë me shumëçka por jo me tekstin e marrëveshjes dhe implikimet e saj në terren.

Nuk është edhe shumë keq

Inspirimi për këtë titull më erdhi nga një deklaratë e Kryeministrit në një takim të agjencive të lajmeve të vendeve të rajonit. Sipas komunikatës së Zyrës për Komunikim Publik “Kryeministri Kurti tha se nuk është më e mira, por nuk është edhe shumë keq”.

Që një kryeministër t’ia japë vetes luksin të na vlerësojë neve se nuk qenkemi keq, është sjellje e pavend, por këtë këshillë Kryeministri duhet ta pranojë nga njerëzit në kabinetin e tij.

Ajo që nuk mund ta kalojë pa e thënë në këtë shkrim është se në Serbi mediat raportojnë rrejshëm shumë më shumë se në Kosovë dhe vetëm nëse shikoni titujt në dy muajt e fundit, do ta keni këtë punë të qartë.

Në krahasim me vendet e tjera të rajonit, Kosova rangohet më lart në rangimin e Reporterëve pa kufij dhe kushdo që pak është marrë me këtë zanat, e di se mediat në Kosovë, përkundër mangësive dhe lëshimeve që përmenden në këtë shkrim, kultivojnë standarde përgjithësisht më të larta se ato në rajon.

Mirëpo, kultivimi i standardeve më të mira të raportimit edhe më tutje duhet të jetë obligim i gazetarëve sesa përgjegjësi e politikës dhe kjo paradigmë nuk bën të ndryshohet!

(Leart Hoxha është autor i emisionit “Context” në ATV)