Nuk është hera e parë që Molliqaj ‘sulmon’ zyrtarët shtetërorë – VIDEO

Goditja me shuplakë e një polici më 29 janar gjatë protestës kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike nuk është sulmi i parë i Dardan Molliqajt ndaj zyrtarëve shtetërorë.

Molliqaj njihet në publik si një nga aktivistët më energjik në protestat që dikur Lëvizja Vetëvendosje organizonte nëpër rrugët e Prishtinës, ndërsa disa herë ka qenë i arrestuar pikërisht për pjesëmarrje në protesta, disa prej të cilave kanë qenë të dhunshme.

Më 13 maj 2019, Dardan Molliqaj ishte arrestuar me urdhër të Prokurorisë Themelore në Prishtinë, për një rast që Prokuroria e kishte cilësuar “sulm ndaj zyrtarit shtetëror”.

Bëhet fjalë për protestën e 12 tetorit 2015, kur Molliqaj shihet në një video duke kapur për bluze dhe shtyrë komandatin e stacionit policor ‘Qendra’, Driton Imerin.

Protesta gjatë asaj nate zhvillohej për shkak të arrestimit të Albin Kurtit.

Një tjetër rast kur Dardan Molliqaj ishte arrestuar, ndoshta më i famshmi, është ai kur ishte sulmuar vetura e këshilltarit të ministrit të Bujqësisë në atë kohë, Shasivar Haxhiajt.

Molliqaj, ishte xhiruar duke nxjerrë nga vetura zyrtare Haxhiajn, ndërsa më pas protestuesit e kishin demoluar veturën e zyrtarit.

Molliqaj ishte arrestuar për prishje të rendit dhe qetësisë publike, si dhe për dëmtimin e veturave zyrtare.

Edhe si PSD, Molliqaj ka përjetuar arrestime nga Policia e Kosovës, gjatë aktiviteteve me partinë e tij.

Një incident tjetër i dhunëshëm i Molliqajt ishte edhe sulmi ndaj Haki Abazit pas një debati në studio televizive. Edhe për këtë rast prokuroria ka nisur hetime të cilat ende nuk kanë përfunduar.

Një e tillë ishte ajo e janarit të vitit 2021, ku Molliqaj bashkë me disa aktivistë të tjerë të PSD-së u arrestuan pasi po kryenin një aksion simbolik para Policisë, për mosrespektimin e masave anti-COVID-19 nga partitë politike gjatë fushatës zgjedhore.

Edhe në verën e vitit të kaluar, në korrik 2021, Molliqaj ishte arrestuar nga Policia gjatë aksionit për të kundërshtuar marrëveshjen për ofrimin e tiketës ngjitëse me qëllim të konfirmimit të kontrollimit teknik të automjeteve.

Aksioni i PSD-së që përfundoi me përleshje me Policinë e Kosovës