Nuk e pranojnë fajësinë të akuzuarit për kontrabandim me migrantë

Në bankën e të akuzuarve sot janë ulur Blerim Berisha, Berat Syla dhe Xhelal Krasniqi nën dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprat penale kontrabandim me migrantë si dhe për veprën penale shmangie nga tatimi.

Të njëjtit akuzohen së për periudhë kohore të pacaktuar ju kanë mundësuar personave udhëtimin në vendet e ndryshme të Evropës me dokumente të falsifikuara.

Të pandehurit kanë shfrytëzuar të drejtën që të deklarohen në lidhje me veprat për të cilat prokuroria po i ngarkon.

Blerim Berisha nuk e pranoi fajësinë për veprën për të cilën është i akuzuar.

“Jo zotëri gjykatës nuk e ndjejë vetën fajtor”- u deklarua Berisha

Njëjtë u deklarua edhe i akuzuari tjetër, Berat Syla. “Jo nuk e ndjej veten fajtor”-tha Syla

Ndërsa edhe Xhelal Krasniqi, i cili nga Prokuroria Speciale po akuzohet për dy vepra penale nuk e pranoi fajësinë.

“Për asnjërën pikë të aktakuzës nuk e ndjej vetën fajtor”- u shpreh Krasniqi.

Trupi gjykues njoftoi palët që brenda afatit të përcaktuar kohor kanë të drejtë të paraqesin kërkesë për hedhje poshtë të aktakuzës.

Sipas dosjes së siguruar nga KALLXO.com, të akuzuarit Blerim Berisha, Berat Syla dhe Xhelal Krasniqi për kohë të pacaktuar deri më datën 23.04.2021 dyshohet se kanë kryer veprën penale kontrabandim me migrantë si dhe shmangie nga tatimi.

Sipas aktakuzës Blerim Berisha, Berat Syla dhe Xhelal Krasniqi fillimisht kanë siguruar persona në Republikën e Kosovës por edhe jashtë saj, që kishin për qëllim emigrimin në shtetet e Evropës si në Rumani, Itali, Francë, Zvicër, Kroaci, Spanjë etj.

Të pandehurit kishin krijuar laborator për falsifikimin e letërnjoftimeve, patentë-shoferëve, pasaportave, duke futur të dhëna varësisht nga kërkesat e qytetarëve me qëllim të njëjtit t’i furnizojnë me dokumente të falsifikuara. E tërë këto veprime të njëjtit akuzohen i kanë kryer për shuma të konsideruara të parave.

Gjithnjë sipas dosjes, të akuzuarit për falsifikim të pasaportave që të mundësojnë udhëtim në vendet e Evropës kishin përfituar nga 1,000 deri në 5,000 euro, ndërsa për falsifikim të patentë shoferit në Zvicër, të njëjtit kishin përfituar shumën prej 300 deri në 400 euro kurse për falsifikim të letërnjoftimit në Kosovë të njëjtit kanë pranuar shumën prej 250 deri në 300 euro.

E me këto veprime të njëjtit, sipas aktakuzës kanë kryer veprën penale pjesëmarrje apo organizim i grupit kriminal lidhur me veprën penale kontrabandim me migrantë në vazhdimësi.

Ndërsa,  vetëm Xhelal Krasniqi si pronar i mobilierisë “Knap” gjatë periudhës 2017 deri në shkurt të vitit 2022 nuk ka bërë deklarimin e të hyrave nga shit-blerja. E me këtë veprim i njëjti ka dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës me vlerë rreth 28 mijë euro.

Me këtë veprim, sipas aktakuzës i njëjti ka kryer veprën penale shmangie nga tatimi.