Nuk dihet data e takimit të radhës Kurti-Vuçiq

Ende nuk dihet se kur do të mbahet takimi i radhës në kuadër të dialogut Kosvë – Serbi, përkatësisht mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Kështu ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Qeverisë së Kosovës, Përparim Kryeziu.

Ai ka shtuar se mund të konfirmojë që Kurti fillimisht do të takohet me përfaqësuesin e posaçëm të BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak në margjina të Forumit Strategjik që po mbahet në Slloveni.

Takimi i radhës Kurti-Vuçiq pritet të mbahet gjatë këtij muaji, pas një takimi në nivel negociatorësh mes të dyja vendeve që pritet të vijojë në Bruksel.

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak ka paralajmëruar takimin e radhës mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidenti të Serbisë Aleksandar Vuçiq.

Mediat serbe kanë raportuar se Lajçak ka thënë sot në Slloveni, se do të ketë takime të ndara me Kurtin dhe Vuçiqin para takimit të kryenegociatorëve.

KALLXO.com paraprakisht ka dërguar pyetje edhe në BE dhe është në pritje të përgjigjes së tyre për të mësuar më shumë edhe për kohën e takimit.