Takimi i 18 gushtit ndërmjet kryeministrit të Republikës së Kosovës Albin Kurti me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në Bruksel me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian

Nuk dihen detajet e propozimit të BE-së për targa neutrale mes Kosovës dhe Serbisë

Përdorimi i targave neutrale është dhënë si opsion nga BE-ja gjatë takimit në Bruksel, për të zgjidhur çështjen e targave mes Kosovës dhe Serbisë.

Kështu ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të mërkurën një konferencë për media.

Shefi i qeverisë kishte njoftuar se ky propozim kishte ardhur nga emisari i BE-së për Dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, derisa shtoi se ky opision është i papranueshëm.

“Këto opsionet për targa neutrale karshi statusit të Kosovës, kanë qenë opsione në Bruksel nga ndërmjetësi Lajçak, unë nuk e di kush ja ka dhënë idenë ndërmjetësit, unë ato i kam parë të ndërmjetësit. Njëkohësisht e kam shprehur qëndrimin tonë se nuk janë të pranueshme madje edhe sipas vet zotimeve të Serbisë” – ishte shprehur Kurti në konferencën e së mërkurës.

Ndërsa, përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak nuk i ka bërë të ditura propozimet që ka dhënë BE-ja më 18 gusht në Bruksel.

Lajcak, të mërkurën ka thënë për BBC Serbia se BE ka gjithmonë propozime gjatë takimeve mes palëve.

Ai ka thënë se nuk është koha për t’i diskutuar propozimet pasi janë ende duke i diskutuar.

“Ne kemi disa propozime që janë aktuale, por sigurisht që nuk do të ndihmonte të flasim për to publikisht ndërsa jemi ende duke i diskutuar ato” – ka thënë Lajçak.

As nga ana e BE-së, propozimet e mundshme të tyre për çështjen e targave nuk janë konfirmuar.

Në pyetjen e KALLXO.com se cilat janë propozimet e BE-së për çështjen e targave, zëdhënësja e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Paloma Hall Caballero, nuk ka përmendur ndonjë propozim.

Por ka deklaruar se tashmë marrëveshjet janë të qarta, se në Kosovë do të përdoren vetëm targat e lëshuara nga Kosova.

“Marrëveshjet janë të qarta se në Kosovë do të përdoren vetëm targa të lëshuara nga Kosova. Megjithatë, është e rëndësishme që të jepet kohë e mjaftueshme për zbatimin e këtij plani dhe që ai të përgatitet dhe zbatohet në konsultim të ngushtë me qytetarët e prekur dhe në përputhje me praktikat e mira evropiane. Konkluzionet e Lirisë së Lëvizjes nga viti 2016 përfshinin afate kohore për riregjistrim, të cilat duhet të ofrojnë udhëzime”- thuhet në përgjigjen e saj për KALLXO.com.

Hall Caballero shtoi po ashtu se se Grupi i Punës për targa i cili e ka përfunduar punën në prill, e kishte për detyrë të shqyrtonte të gjitha opsionet për një zgjidhje të përhershme të çështjes së targave bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së.

“BE-së i vjen keq që atëherë nuk është arritur asnjë marrëveshje për çështjen e targave. Duke qenë se nuk ka marrëveshje për një zgjidhje të përhershme, regjimi i ngjitjes vazhdon të zbatohet. BE-ja u kujton rregullisht të dyja palëve angazhimet e tyre të pazgjidhura dhe pret që të gjitha ato të zbatohen plotësisht” – ka thënë tutje zëdhënësja Hall Caballero.

Në takimin e fundit të nivelit të lartë në Bruksel, që është mbajtur më 18 gusht, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, nuk kanë arritur marrëveshje.

Takimi i 18 gushtit shënon herën e tretë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiq negociojnë në Bruksel, në kuadër të dialogut që ndërmjetëson Bashkimi Evropian.

Pas takimit Qeveria e Kosovës ka deklaruar se gjatë takimit u diskutuan dy tema.

Tema e parë kishte të bënte me Kornizën e Përgjithshme të Marrëveshjes.

Ndërsa, tema e dytë ishin çështjet aktuale politike e të sigurisë për të cilat Kurti tregoi për rëndësinë e ligjshmërisë dhe kushtetutshmërisë në vend si garancione të paqes, sigurisë dhe barazisë për të gjithë qytetarët pa dallim, thuhet në njoftim e Qeverisë.

Dialogu u mbajt me 18 gusht pasi serbët lokalë bllokuan rrugët që çojnë në dy pikëkalimet kufitare – Jarinjë dhe Bërnjak – që lidhin Kosovën dhe Serbinë, në shenjë pakënaqësie me dy vendimet e Qeverisë së Kosovës për targat dhe dokumentet serbe.

Kosova shtyu zbatimin e vendimeve deri më 1 shtator, ndërsa barrikadat u hoqën pasditen e 1 gushtit.