Donald Trump dhe Volodymyr Zelensky, Foto: BBC

Nuk bisedohet për Ukrainën pa Ukrainën - ngulmon Ministri britanik i Mbrojtjes

Sekretari britanik i Mbrojtjes, John Haeley ka thënë se nuk do të ketë bisedime për Ukrainën pa përfshirje të vetë Ukrainës – raporton të enjten, më 13.02.2025, televizioni britanik BBC.

Ai ka shtuar se Mbretëria e Bashkuar mbetet e përkushtuar që të sigurohet se Kievi do të ketë pozicionin më të fuqishëm të mundshëm negociues – duke shtuar se “paqja e qëndrueshme” mbetet qëllimi kryesor i shtetit ishullor.

Shtatë vende europiane kanë thënë se vazhdojnë të jenë të përkushtuara që Ukraina “të ketë pozicion të fuqishëm” në bisedimet me Rusinë.

Deklaratat e tyre kanë ardhur pasi presidenti amerikan, Donald Trump dhe ai rus, Vladimir Putin janë pajtuar që të nisin “menjëherë” negociatat për t’i dhënë fund luftës, që është afër shënimit të 3-vjetorit të saj.

Të mërkurën, sekretari amerikan i Mbrojtjes, Pete Hegseth ka paralajmëruar Ukrainën se mund “të mos kthehet” në kufijtë e para vitit 2014, kur Rusia aneksoi Gadishullin e madh ukrainas të Krimesë.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte ka deklaruar të enjten në mëngjes, gjatë Konferencës për media, me Hegsethin se aleanca veriatlantike do të bëjë çmos që Kievi të jetë në pozitën më të mirë të mundshme në procesin eventual negociator.

Rutte ka theksuar se NATO-ja nuk mund të lejojë Putinin që të uzurpojë “asnjë kilometër katrot” në të ardhmen në Ukrainë.

Ndërkaq, ministri suedez i Mbrojtjes, Pal Johnson ka thënë se Ukraina mund të bëhet ende shtet anëtar i NATO-s. “Nuk mendoj se mundësia e anëtarësimit në NATO për Ukrainën është hequr nga tryeza e diskutimit.” – ka deklaruar Johnson.

“Qëndrimi ynë është i mirënjohur dhe i komunikuar dhe ne qëndrojmë prapa asaj që kemi thënë në Samitin e Uashingtonit. Natyrisht se e ardhmja e Ukrainës është në NATO, kur të plotësojë natyrisht kushtet.” – ka shtuar ai.

 

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com