Protesta e nxënësve të gjimnazit Ahmet Gashi. Foto: Egzon Azemi/Facebook ARKIV

Nuk binden me arsyetimet e komunës, gjimnazistët nesër vazhdojnë protestën

Këshilli i nxënësve të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë ka paralajmëruar nesër vazhdimin e protestës së tyre, për të kundërshtuar rrënimin e objektit të shkollës.

Nëpërmjet një postimi në Facebook, Këshilli i nxënësve të këtij gjimnazi kanë shkruar se komuna dhe kryetari Shpend Ahmeti nuk kanë dhënë garancë që shkolla do të rindërtohet.

“DKA pretendon që raporti inxhinierik nuk aprovon që në shkollën tonë të mbahet mësim, mirëpo në të njejtën kohë nuk jep garanci që shkolla jonë do të rindertohet e që toka në të cilën qëndron nuk do të keqpërdoret. Nxënësit e shkollës sonë marshuan drejtë Komunës së Prishtinës, ku aty kërkuan përgjigje rreth çështjes së shkollës anipse Komuna, DKA dhe kryetari Shpend Ahmeti refuzuan të dalin dhe të japin pergjigje”, thuhet në shkrimin e tyre.

Tutje nxënësit thonë se Shpend Ahmeti  dhe drejtoria e Arsimit, kanë anuluar takimin me ta, me pretekstin se ishin të shumtë në numër.

“Kur kryetari i Komunës së Prishtinës dakordoi të takohet me neve, anuloi takimin me pretekstin se ishim shumë; 6 nxënës, 2 Profesorë dhe Drejtori i shkollës sonë z.Ilmi Reçica. Andaj nesër, kthehemi në orën 8:00 tek gjimanzi, për të mbajtur dinjitetin e shkollës sonë. Ftojmë nxënësit që qëndruan stoikisht sot së bashku me profesorë e stafin teknik. Ftojmë prindërit të cilët paguajnë taksa për ndërtimin e shkollave tona dhe mirëmbajtjen publike. Ftojmë mediat të na mbështesin. Ftojmë të gjithë t’i tregojmë kryetarit se 6 nxënës, 2 profesora dhe drejtori nuk janë shumë. Interesi i 1500+ nxënësve është shumë”, thuhet në fund të shkrimit të Këshillit të nxënësve, ku paralajmërohet vazhdimi i protestës.

Drejtoresha e Arsimit në komunën e Prishtinës, Shpresa Shala,  sot mbajti konferencë për media, ku tha se arsyeja e rrënimit të objektit të shkollës është sepse nuk është i sigurtë, ndërsa asambleisti i PSD-së, Adrian Berisha, akuzoi Vetëvendosjen se qëndron prapa protestës dhe se po manipulon me nxënësit.

Protestë kundër rrënimit të objektit të gjimnazit “Ahmet Gashi” në Prishtinë