Gjyqtarja Marjana Velçani pas vendimit të shkarkimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit. Foto: LSA

Nuk arrin t’i arsyetojë burimet e parave për banesën, shkarkohet gjykatësja

Ish-kryetarja e Gjykatës Administrative të Durrësit, Marjana Velçani u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit më 12 dhjetor 2019.

Sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së, gjyqtarja Velçani rezultoi me mungesë burimesh të ligjshme për blerjen e një apartamenti, një makine si dhe për shpenzimet familjare.

Trupa gjykuese e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Brunilda Bekteshi dhe anëtar Roland Ilia konstatoi gjithashtu edhe pasaktësi dhe pamjaftueshmëri në deklarime për pasuritë, duke arritur në përfundimin se gjyqtarja Velçani nuk kishte arritur nivel të besueshëm në vlerësimin e pasurisë.

Paralelisht me problemet e pasurisë, trupa gjykuese e Komisionit konstaton edhe probleme në aspektin profesional. Megjithatë, në vendim thuhet se mangësitë e konstatuara nuk janë të mjaftueshme për të konkluduar se Velçani nuk kishte nivel minimal kualifikues të aftësive profesionale. Gjyqtarja Velçani u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.

Marjana Velçani e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1998. Ajo ka punuar për më shumë se një dekadë si gjyqtare në Gjykatën e Beratit dhe në vitin 2014 u dekretua si anëtare e Gjykatës Administrative të Durrësit. Velçani u zgjodh gjithashtu përmes shortit si anëtare zëvendësuese e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi për vitin 2020.

Mungesë burimesh

Problemi kryesor i evidentuar në vlerësimin e pasurisë ishte blerja e një apartamenti prej 111 m2 në Berat në vlerën e 3 milionë lekëve. Sipas Komisionit, gjyqtarja Mariana Velçani ka pasur mungesë burimesh të ligjshme prej 1.5 milionë lekësh si dhe ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.

Për këtë pasuri të rivlerësuar në nëntor të vitit 2011 në vlerën 6.3 milionë lekë, Velçani ka deklaruar si burim krijimi të ardhura nga paga në shumën 300 mijë lekë dhe një kredi në vlerën 20 mijë euro në Alpha Bank, që është disbursuar më datë 2 korrik 2003, rreth tre muaj pas blerjes së apartamentit.

Në kontratën e kredimarrjes nuk është parashikuar qëllimi i përfitimit të kësaj vlere dhe nuk rezulton që kredia të ketë kaluar me transaksion bankar në favor të shoqërisë ndërtuese, ndërkohë që kredia është përfituar bazuar në këtë pasuri që është lënë si kolateral.

“Pasuria e deklaruar në deklaratën ‘Vetting’, apartament me sip. 111 m2 është hipotekuar për përfitimin e vlerës 20.000 euro,” citohet në vendim. Komisioni evidenton se interesi i paguar për këtë kredi gjatë kësaj periudhe ka qenë në vlerën 3.970,35 euro dhe se shuma e paguar në total është 23.970,35 euro.

Në vendim thuhet se nga hetimi ka rezultuar se shoqëria ndërtimore, megjithëse ka pranuar në kontratë marrjen në dorëzim të të gjithë shumës që në nënshkrimin e saj, si edhe ka pranuar regjistrimin, ka depozituar pranë Komisionit shtatë mandate, nga të cilat katër datojnë pas momentit të regjistrimit të pasurisë në ZVRPP.

“Subjekti ka kryer deklarim të pamjaftueshëm për shkak të mospërputhjeve të rezultuara midis deklarimit në deklaratën ‘Vetting’ se burim i krijimit të kësaj pasurie ishte kredia në vlerën 20.000 euro dhe pagesave të kryera përpara disbursimit të saj në vlerën 9.110 USD ose rreth 8.000 euro dhe pas disbursimit të kredisë në vlerën 14.890 USD ose rreth 13.000 euro”, konstaton trupa gjykuese e KPK.

Të tjera mospërputhje janë konstatuar prej hetimit administrativ edhe në llojin e monedhave të pasqyruara në mandatet e depozituara nga shoqëria ndërtuese ku rezulton që vlerat janë paguar në USD, ndërsa në kontratën e shitjes janë shënuar në lekë.

Komisioni vlerëson se mungesa e burimeve financiare për këtë pasuri është gjetur si rezultat i analizës së akteve të depozituara nga vetë gjyqtarja Velçani, konkretisht prej kontratës së shitblerjes së këtij apartamenti në prillin e 2003-it; mandatpagesat e vëna në dispozicion nga subjekti dhe nga shoqëria ndërtimore, të cilat konfirmojnë faktin se pasuria është regjistruar, pasi ishin shlyer vetëm 2 500 USD, ndërsa sipas kontratës së shitjes ishin shlyer 3 milionë lekë.

Trupi gjykues konstaton se kontrata e shitblerjes së kësaj pasurie nuk është paraprirë nga një kontratë porosie apo sipërmarrjeje dhe nuk ka parashikuar asnjë kusht, duke i shtrirë efektet e regjistrimit të saj në mënyrë të menjëhershme. Po sipas kësaj kontrate rezulton se pagesa e 3 milionë lekëve për blerjen e pasurisë është shlyer nga blerësi me nënshkrimin e saj dhe sipas KPK, kjo gjë fakton se pala shitëse me nënshkrimin e kontratës është zhveshur nga pronësia dhe pala blerëse është bërë zotëruese e pasurisë.

Komisioni ka gjetur se megjithëse apartamenti ishte hipotekuar në prill të vitit 2003, Velçani ka shlyer më datë 1 korrik 2003 vlerën 6 610 USD, një ditë përpara disbursimit të kredisë, shumë e cila nuk rezulton të ketë si burim këtë të fundit.

“Pra, edhe në rast se do të merrej e mirëqenë se kredia ka pasur si destinacion blerjen e kësaj pasurie, nuk rezulton që e gjithë shuma e përfituar të ketë shkuar në favor të blerjes së saj dhe për pasojë përsëri konstatimi se subjekti nuk ka deklaruar saktësisht burimin e kësaj pasurie qëndron dhe merr vlerë në hetimin tërësor të kriterit të pasurisë të subjektit”, citohet në vendim.

“Pretendimi i subjektit në prapësime se data e shënuar në mandatpagesën për shumën 6.610 USD… është shkruar gabim, është lapsus, apo është rutinë e punës së shoqërisë, bie në kundërshtim me vetëdeklarimin e subjektit në pyetësor se kjo pagesë është përdorur për të sistemuar kontabilitetin e shoqërisë,” vijon më tej Komisioni, ku theksohet se duket se kredia në vlerën 20 mijë euro nuk kishte pasur destinacion njërin prej burimeve të krijimit të kësaj pasurie. Nisur nga kjo, Komisioni nuk e ka përllogaritur vlerën 20 mijë euro të kredisë në analizën financiare prej nga ka rezultuar edhe balanca negative prej 1.5 milionë lekësh.

Për blerjen e një autoveture “Ford Fiesta” në nëntor të vitit 2006 në vlerën 250 mijë lekë, për të cilën Velçani ka deklaruar si burim krijimi të ardhurat nga pagat, Komisioni evidenton mungesë të burimeve financiare në vlerën e 429.341 lekësh. Gjithashtu, KPK vlerëson se gjyqtarja ka bërë deklarim të pamjaftueshëm lidhur me shumën e shpenzuar për këtë blerje.

“Trupi gjykues konstaton se balanca negative është rezultat i shumave të pasqyruara në zërin ‘arredimi i apartamentit në Berat’, për shkak të diferencës së lartë që është konkluduar nga shpenzimet e pretenduara nga subjekti lidhur me arredimin e pasurisë dhe shpenzimet e pasqyruara në një praktikë bankare të analizuar nga Komisioni, administruar për një tjetër kredi (në vlerën 2.700.000 lekë)…” thuhet në vendim.

Komisioni ka gjetur se në praktikën e kredisë bankare në vlerën 2.7 milionë lekë, arredimi i apartamentit në Berat është pasqyruar në vlerën 2 milionë e 30 mijë lekë.

Në vendim thuhet se Velçani ka deklaruar në parashtrimet e saj se për arredimin e shtëpisë në qytetin e Beratit ka shpenzuar vetëm vlerën 321 mijë lekë, pavarësisht nga shifrat e prodhuara nga ish-Banka Popullore. Ajo pretendon se zëri i shpenzimeve për arredimin e apartamentit në Berat është i lartë, për shkak se është përllogaritur nga Komisioni sipas vlerës së arredimit të pasqyruar në praktikën e kësaj banke.

Por trupi gjykues i ka qëndruar faktit se shpenzimet kanë qenë ato të pasqyruara në praktikën bankare për marrjen e kredisë 2.7 milionë lekë në vitin 2009 që ka shërbyer si një prej burimeve për blerjen e një apartamenti 110.9 m2 në Tiranë. Komisioni konkludon se duke qenë se Velçani nuk arriti të bindë me prova shkresore mbi shumën e pretenduar për arredimin e shtëpisë në qytetin e Beratit, në raport me shumën e pasqyruar në praktikën bankare, balanca negative nuk ndryshon dhe për pasojë subjekti ka mungesë financiare në vlerën 429.341 lekë për blerjen e automjetit të tipit “ Ford Fiesta”.

Komisioni ka gjetur pasaktësi e mospërputhje edhe në deklarimin e blerjes së apartamentit 110.9 m2 në Tiranë të porositur në korrik të 2009-ës për vlerën 45 mijë euro, pavarësisht se nga hetimi administrativ ka rezultuar të ketë burime të mjaftueshme financiare për krijimin e kësaj pasurie.

Në vendim thuhet se në kontratën e porositjes së kësaj pasurie figurojnë apartamenti me sipërfaqe 110.9 m2 me vlerë 37 mijë euro dhe një garazh me sipërfaqe 22 m2 në shumën 8 mijë euro. Por, në deklaratën e vitit 2009, Velçani ka deklaruar vetëm porositjen e apartamentit të banimit dhe jo të garazhin. Tjetër pasaktësi që evidentohet në vendim është mosdeklarimi i detyrimit financiar ndaj firmës ndërtuese në vitin 2009, ndërsa në vitin 2016 është pasqyruar detyrimi prej 4 mijë euro për shlyerje në momentin e hipotekimit të kontratës së sipërmarrjes.

Komisioni konstaton më tej se Velçani ka kryer deklarim të pasaktë në vitin 2016 për blerjen e një autoveture tip “Peugeot” nga bashkëshorti, në shumën 6 700 euro. Në vendim evidentohet se në deklarimin e gjyqtares Velçani nuk është pasqyruar vlera reale 6 700 euro, por është shënuar vetëm kësti i paguar në vitin 2016 në vlerën 2 300 euro.

Nga analiza financiare ka rezultuar balancë negative në vlerën 314.272 lekë në vitin 2005 dhe 82.051 lekë në vitin 2012 për përballimin e shpenzimeve familjare. (reporter.al)