Nuhiu: Draftkodi Civil nuk ka rregulluar asgjë në aspektin e të drejtave të bashkëjetesës dhe martesës

Aktivisti i të drejtave të njeriut, Arber Nuhiu, në emisionin “Kallxo Përnime” ka thënë se Draftkodi Civil nuk ka rregulluar asgjë në aspektin e të drejtave të bashkëjetesës, përfshirë edhe martesën mes personave të gjinisë së njëjtë.

Nuhiu nga organizata “Qendra për Zhvillimin e Grupeve Shoqërore” tha se Kodi Civil në njëfarë forme është përsëritje e Kushtetutës së Kosovës.

“Kodi Civil po e përsërit njëfarë forme Kushtetutën por e degradon të drejtën e martesës. Në Kushtetutë thuhet që çdo person mund të martohet dhe krijojë familje po kjo do të rregullohet me ligj, i bie që edhe Kodi Civil e thotë të njëjtën gjë. Tash po e zbret nuk po fol për martesë por për bashkëjetesë”, ka thënë ai.

Ai shtoi se lidhur me mosvotimin e Projektkodit Civil kanë shkruar letër edhe Parlamenti Evropian dhe organizata tjera.

“Kanë shkruar letër edhe Parlamenti Evropian edhe shumë organizata dhe institucione ndërkombëtare, organizata të shoqërisë civile rajonale por edhe përtej në përkrahje të asaj që është e drejtë kushtetuese që e lejon martesën ose është e hapur për me rregullua çështjen e martesës së personave të seksit të njëjtë”, ka thënë Nuhiu.

Nuhiu ka folur edhe për mundësinë e dërgimit të Ligjit për Familjen në Gjykatën Kushtetuese për diskriminim.

“Një ligj në Kushtetuese mund ta dërgojë kryeministri, presidenti, deputetët dhe Avokati i Popullit në rast se nuk ka rast konkret individual për një person. Ndërsa, një qytetar i thjeshtë duhet të shkojë në ofiqari të kërkojë martesën dhe në momentin kur i refuzohet pastaj mund të shkojë (në gjykatë)”, ka thënë ai.

Ndërsa avokatja dhe ekspertja e të drejtave të njeriut, Natyra Avdiu, tha se Qeveria ka qenë neglizhente sa i përket nenit që flet për bashkësitë e regjistruara civile.

“Te ky nen mendoj që Qeveria ka qenë neglizhente sepse thotë që jena tu dashtë më rregullu dhe në fakt e kemi rregullu sepse flitet për të drejtat e këtij komuniteti por ajo nuk është reale. Është neni 1128 ku thotë që do të ketë trajtim të barabartë duke përfshirë edhe orientimin seksual që do të thotë që nuk do të diskriminohen personat por në anën tjetër kur është puna te martesa kjo nuk trajtohet”, ka thënë ajo.

Me 28 vota për, 28 kundër dhe 4 abstenime, Kuvendi i Kosovës nuk e ka miratuar në shqyrtim të parë Projektkodin Civil të Republikës së Kosovës.

16 deputetë nuk kanë marrë pjesë fare në votim.