Objekti ku do të vendoset Gjykata Speciale | Foto: Wikimedia

Nuhi Krasniqi ftohet nga Gjykata Speciale

I ftuari i radhës nga Gjykata Speciale është Nuhi Krasniqi nga Malisheva.

Lajmin e ka bërë të ditur kryetari i OVL – UÇK-së, Hysni Gucati.

“Sot morra lajmin që avokati dhe luftëtari i lirisë së UÇK-së z. Nuhi Krasniqi nga Malisheva është thirrur nga gjykata speciale , si gjithë luftëtarët e lirisë edhe ky do të dali i pastër”, ka shkruar Gucati.

Gjykata Speciale ishte miratuar më 3 gusht të vitit 2015 në Kuvendin e Kosovës, pas kërkesave të shumta nga ndërkombëtarët.

Me 82 vota për, 5 kundër dhe 1 abstenim, deputetët e asaj legjislature i kishin votuar ndryshimet e nevojshme kushtetuese të cilat i kishin hapur rrugë themelimit të kësaj gjykate të kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare.

Në atë kohë, kryeministër kishte qenë Isa Mustafa, ndërsa zëvendëskryeministër Hashim Thaçi.

Ky i fundit kishte qenë shumë i zëshëm në mbështetjen e krijimit të kësaj Gjykate.

Gjykata Speciale për Kosovën në përbërjen e saj do të ketë vetëm prokurorë e gjykatës ndërkombëtarë.

Ajo ka filluar punën muajve të fundit, kur ka ftuar disa ish figura të larta të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje kishte qenë partia e vetme e cila unanimisht kishte votuar kundër krijimit të kësaj Gjykate, ndërsa nga partitë e tjera ka pasur disa figura të pakta që kanë votuar kundër.