Foto: Tim Walz / Facebook
“Nr. 2 i Harrisit ishte mësimdhënës në Kinë”: Reagimi i kinezëve për Walzin
Përzgjedhja e Tim Walzit për bashkëgarues të zëvendëspresidentes Kamala Harris ka rrokur vëmendjen deri në Kinë, shkruan BBC.
Përdoruesit kinezë të mediave sociale kanë diskutuar se Walz kishte kaluar një vit në Kinë duke ligjëruar në provincën juglindore Guangdong më 1989 – një temë që ishte trend në “Weibon” me 12 milionë shikime.
Ai dhe gruaja e tij, mësimdhënësja Gwen Whipple, më vonë do të kalonin muajin e mjaltit në Kinë.
Walz dikur e kishte përshkruar vendimin për të ligjëruar në Kinë si “një prej gjërave më të bukura që ndonjëherë e kam bërë”.
Guvernatori 60-vjeçar i Minnesotas ishte mësimdhënës historie dhe trajner futbolli para se t’i përvishej politikës.
Ai porsa kishte kryer studimet në kolegj kur ishte zhvendosur në Kinë për të dhënë anglisht dhe histori amerikane në një shkollë të lartë.
Fakti se kishte ndodhur më 1989 – në vitin kur u krye masakra në sheshin Tiananmen – nuk kishte kaluar pa u spikatur prej atyre që po komentonin në mediat sociale kineze.
Më 4 korrik të atij viti, tanket kineze dolën në sheshin qendror të Pekinit, ku ishin mbledhur qindra mijëra njerëz me kërkesat për reforma politike. Ajo ditë përfundoi me gjakderdhje masive dhe as sot nuk dihet numri i saktë i viktimave. Ka prej atyre që pretendojnë se numri i viktimave të ketë shkuar mbi dhjetë mijë.
Mediat sociale kineze nuk mund të thonë shumë për vitin 1989 sepse rrezikojnë të censurohen. Ata i referohen asaj periudhe tërthorazi – me një komentues që shkruante thjesht” Nëse e dini, e dini”.
Të huajt, të cilët ndodheshin atëherë në Kinë, “janë njerëzit më anti-Kinë”, ka shkruar një përdorues.
Të tjerët kanë thënë se Kina më 1989 ishte një vend krejtësisht ndryshe. Ishte koha kur Kina ende nuk ishte bërë çerdhja më e madhe botërore e prodhimit në botë, dhe pastaj duke zënë vendin e ekonomisë së dytë më të madhe të botës dhe në fund duke u kthyer në rivalen më të madhe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, shkruan BBC.
“Ky kandidat ishte në Kinë në një kohë krejtësisht tjetër. Atmosfera ishte krejt ndryshe” – ka shkruar një komentues.
Dhe prapëseprapë, disa komentues kanë shprehur shpresën se nëse Walz fiton me Harrisin, mund të ketë përmirësim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Dy fuqitë e mëdha botërore hahen vazhdimisht për pengesat e barrierat tregtare, teknologjinë e avancuar dhe për ambiciet gjeopolitike të Kinës.
Një komentues ka thënë se “e kaluara unike e Walzit ia krijon atij perspektivën reale për Kinën”.
Walz kishte punuar si mësimdhënës në shkollën Nr 1 në Foshan si pjesë e programit të vullnetarëve të Universitetit të Harvardit. Kur ishte kthyer në SHBA, kishte deklaruar për një gazetë lokale se atje “nuk kishte kufizime” se çfarë mund të arrinin kinezët “nëse do të kishin lidershipin e duhur”.
“Ata janë popull shumë bujar, i këndshëm dhe i zoti” – thoshte ai.
Walz dhe gruaja e tij u martuan më 4 qershor 1994 – përvjetori i pestë i kryengritjes në Tiananmen. Ajo kishte thënë në një intervistë se “ai e donte një takim që gjithnjë e kishte ëndërruar”.
Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com