Foto: Kallxo.com

NPB dorëzon kallëzim penal ndaj ministrit Liburn Aliu për projektin afaristo-banesor në ‘Lakrishtë’

Ndërmarrja Publike Banesore (NPB) ka dorëzuar kallëzim penal në Prokurorinë Speciale ndaj Ministrit të Mejdisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu lidhur me ndalimin e punimeve në objektin afaristo-banesor në lagjen ‘Lakrishtë’ në kryeqytet.

Sipas njoftimit të ndërmarrjes, ministri Aliu ka tejkaluar kompetencat e tij duke i shkaktuar dëm të madh interesave ekonomike dhe pronësore të ndërmarrjes.

“Ndërmarrja Publike Banesore sot ka dorëzuar pranë Prokurorisë Speciale kallëzim penal kundrejt Liburn Aliut, Ministër i Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës. NPB qëndron e bindur që z. Aliu përmes veprimeve të tij ka tejkaluar përtej çdo dyshimi kompetencat e tij dhe kësisoj tashmë i ka shkaktuar dëm jashtëzakonisht të madh interesave ekonomike dhe pronësore të NPB-së”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim potencohet se në këtë kallëzim penal prej dhjetra faqesh prova, NPB ka argumentuar se si ku dhe si është shkelur legjislacioni në fuqi nga Liburn Aliu asisoj që i njëjti ka konsumuar veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” të paraparë me Nenin 414 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas tyre, projekti i shënjestuar nga ministri Aliu është parakusht për arritjen e qëllimeve të NPB-së lidhur me të drejtën e banimit.

“Projekti i ndërtimit që e kanë vënë në shënjestër z. Aliu përbën parakusht për të arritur qëllimin publik të NPB-së në raport me realizimin e të drejtës së banimit për shumë qytetarë në Prishtinë”, është thënë në njoftimin e NPB-së.

Liburn Aliu pak javë më herët kishte kërkuar që të ndalen punimet në rrënimin e disa depove të NPL-së në lagjen ‘Lakrishtë’ për t’i lëshuar vend një projekti të madh afaristo-banesor.

Arsyetimi fillestar kishte qenë fakti që ato objekte ishin të mbuluara me material azbesti, që konsiderohet i rrezikshëm për shëndetin.

Më pas Aliu kishte kërkuar që të hetohej NPB për projektin shumëkatësh në lagjen ‘Lakrishtë’.

Ai ka kërkuar nga avokatura shtetërore anulimin e aktit noterial të realizuar në 17 maj të vitit 2021 në të cilin akt figuron si palë e Ndërmarrjes Publike Banesore kompania private ‘Made Group Construction’.

Aliu pati potencuar se ligji nuk lejon që prona publike të jepet në shfrytëzim të përhershëm, ai madje kishte kërkuar nga kryetari Shpend Ahmeti që të mbrojë interesin publik në rastin në fjalë.

Kallxo.com ka bërë një hulumtim të detajshëm lidhur me gjithë procedurat për ndërtimin e objektit afaristo-banesor në lagjen ‘Lakrishtë’, mënyra si u zgjodhën kompanitë fituese dhe ndërprerja a e këtyre punimeve.

Ana e errët e projektit të ndërtimeve të Ndërmarrjes së Prishtinës