Norvegjia do të mbyllë ambasadën e saj në Prishtinë 

Norvegjia do të mbyllë ambasadën e saj në Prishtinë në vitin e ardhshëm dhe përgjegjësitë për marrëdhëniet diplomatike do të bartën në ambasadën më të afërt.  

Përmes një njoftimi, Ministria e Punëve të Jashtme e Norvegjisë bën të ditur se në vitin 2023 përveç Prishtinës do të mbyllë edhe ambasadat në Bratislavë (Sllovaki), Kolombo (Sri Lanka), zyrën e ambasadës në Antananarivo (Madagaskar) dhe Konsullatën e Përgjithshme në Hjuston (SHBA). 

“Marrëdhëniet diplomatike të Norvegjisë me Kosovën, Madagaskarin, Sllovakinë dhe Sri Lankën do të trajtohen përmes marrëveshjeve alternative, për shembull përgjegjësia për këtë do t’i jepet një ambasade norvegjeze afër, ose një ambasador me bazë në Norvegji do të emërohet për vendin në fjalë” – thuhet ndër të tjerash në njoftimin e MPJ së Norvegjisë.