Flamuri i Norvegjisë - Foto: REL

Norvegji, katër rusë kapen duke fotografuar paligjshëm

Katër shtetas rusë – tre burra dhe një grua – u arrestuan javën e kaluar dhe janë në paraburgim në Norvegji, pasi u panë duke fotografuar objekte që nuk lejohen të fotografohen.

Kështu tha policia norvegjeze më 17 tetor, pa specifikuar se cilat objekte kishin fotografuar të arrestuarit.

Policia gjeti “pajisje për fotografim dhe shumë fotografi” kur makina me të cilën po udhëtonin të arrestuarit, u ndalua për kontroll më 11 tetor.

Autoritetet nuk kanë publikuar identitetin e të arrestuarve. Policia tha se ata erdhën në Norvegji përmes Finlandës, duke pretenduar se janë turistë.

Autoritetet në Norvegji nuk treguan nëse ky rast është i lidhur me dy raste të tjera të rusëve të arrestuar në shtetet e tjera nordike, që janë anëtare të NATO-s, pasi policia zbuloi se ata posedonin dronë.

Në javët e fundit, një numër dronësh është raportuar se janë parë pranë platformave të naftës dhe gazit në Norvegji.

Policia refuzoi të japë detaje të tjera, “për shkak të natyrës së këtij rasti”.

Norvegjia ka dërguar ushtarë për të ndihmuar në ruajtjen e fabrikave të përpunimit të naftës dhe gazit që gjenden në det, njoftoi ushtria më 3 tetor. Dërgimi i ushtarëve u bë pas shqetësimeve të sigurisë, për shkak të një sabotimi të dyshuar në gazsjellësit rusë nën Baltik./REL