Foto: Urim Krasniqi/KALLXO.com

Nora Visoka - Weller: Suksesi i çdo gjenocidi është heshtja e tij dhe këtu ka fituar më së shumti Serbia (VIDEO)

Nora Visoka Weller, avokate në Universitetin e Cambridge, që në luftën e Kosovës kishte punuar si përkthyese për gazetarët e huaj dhe misionet diplomatike ndërkombëtare, gjatë rrëfimit të saj për luftën në Kosovë, ka pasur edhe kritika për shtetin e Kosovës, që nuk ka arritur sa duhet, sipas saj, të flas për viktimat civile të luftës.

“Suksesi i çdo gjenocidi është heshtja dhe këtu ka fituar më së shumti Serbi”, kështu e kritikon Visoka Weller shtetin e Kosovës, në lidhje me gjenocidin serb mbi popullatën shqiptare.

Pasi në shtator të 1998, bashkë me diplomatë kanadez kishte rënë në mina në afërsi të fshatit Likovc, Visoka – Weller ishte detyruar të tërhiqet nga terreni i luftës në Kosovë.

Shumë vite më pas, në vitin 2017, ajo kthehet në Kosovë, për të trajtuar disa çështje.

“Në vitin 2018 e kam bërë një studim për trashëgiminë e luftës, çka ka ndodhë në Kosovë dhe si është trajtuar kujtesa jonë e luftës”, tregon ajo.

“Çka ka ndodhë me të vrarët, çka ka ndodhë me të mbijetuarit. Gjëja që më ka lënë më së shumti përshtypje, është se çka ka ndodhë me varrezat masive. Sepse të vrarët i kanë marrë i kanë varrosur, i kanë zhvarrosur e më pas i kanë gjuajt, po e them qëllimisht gjuajt sepse i kanë gjuajt nëpër kamionë e i kanë dërguar në Serbi. I kanë djeg trupat në Trepçë, i kanë djegë në Obiliq dhe këto janë të dokumentuara nga bashkësia ndërkombëtare”, ka thënë Visoka – Weller.

Ajo konsideron se për këtë Kosova gjatë këtyre viteve nuk ka folur publikisht, sa duhet.

“E për këtë nuk e di pse Kosova gjatë këtyre viteve nuk ka folur publikisht, njerëzit munden me thonë që është folur, por nuk është folë nëpër tavolinat negociuese, nuk është folur nëpër tavolinat e ambasadave, si me ja bo me këto çështje. Suksesi i çdo gjenocidi është heshtja dhe këtë më së shumti ka fituar Serbia. Ata i kanë vrarë shqiptarët, por shqiptarët nuk kanë folur”, ka thënë Visoka Weller.

Ajo ka treguar se tashmë është pjesë e një grupi, që qeveria e re ka formuar për dokumentimin e krimeve të luftës, për padinë ndaj Serbisë për gjenocid.

“Arsyeja ime pse kam shkuar në Beograd dhe në këto varreza masive, ka qenë me provu këtë rrugë. Sepse me i qu trupat e njerëzve, të mijëra njerëzve prej Prishtinës deri në Beograd, janë 600 kilometra. Ka qenë një organizim madhor në nivelin më të lartë shtetëror dhe dihet kush e ka bërë. Domethënë, Kosova nuk ka nevojë as me argumentu që ka ndodhë një gjë e tillë, sepse ekzistojnë dokumentimet”.

Visoka – Weller ka përmendur Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, duke thënë se nuk ta jep ndjenjën që aty ka pasur masakër ndaj popullsisë civile.

“Për shembull në Kompleksin Memorial të familjes Jashari, mungon ndjenja që aty ka pasur masakër ndaj civilëve. Arsyeja pse memorialët ekzistojnë, është për me u dhënë ndjenjën vizitorëve, që me zbulu çka ka ndodhë aty. Nëse shkojmë aty, shohim që ka varreza me mermer të sofistikuar, me madhësi të njëjtë, si për fëmijën 6 vjeç, si për plakun 80 vjeç”, vazhdon kritika e saj.

“Mënyra si portretizohet kjo luftë, është si luftë heroike e UÇK-së me serbët. Kjo ka qenë një atak i ushtrisë serbe mbi një familje civile, ky është realiteti. Në Kosovë kanë vuajtur njerëzit civil më së shumti, janë vra të pafajshëm, janë vra fëmijë. Ku ekziston një vend që i kujton fëmijët?”, ka pyetur Visoka – Weller.

“Kam qenë në Bajtanicë, disa herë, aty e kupton që trupat janë dërguar në bazën militare, prej ku janë nxjerrë pas gërmimit mbi 700 trupa të shqiptarëve, krejt kanë qenë civil. Aty kemi dështuar shumë. Komplekset memoriale në Kosovë janë shfrytëzuar për çështje politike, gjatë kohës kur ka pasur kampanjë zgjedhore”.

Nora Visoka – Weller është avokate në Universitetin e Cambridge. Aty e ka përfunduar Juridikun dhe Arkeologjinë, ku ka specializuar në Mbrojtjen e Trashëgimisë Kulturore dhe të Luftës.

Në moshën 18 vjeçare, Nora kishte filluar punën si përkthyese me gazetarë të huaj, në pothuajse të gjitha zonat e luftës dhe përfundon duke punuar në misionin diplomatik të Ambasadës Amerikane.

Ndërkohë, ajo do të trajnohej në teknika të ndryshme të mbrojtjes dhe të sigurisë, mbikëqyrjes, si me vozitë vetura 6 tonë të rënda në zona të luftës ushtarake, për me thyer barrikada.

Puna e saj gjatë luftës ndërpritet, në shtatorin e vitit 1998, ku makina e blinduar e Ambasadës bie në një minë kundër-tank. Nora lëndohet rëndë dhe shërimi i saj zgjatë disa muaj. Fati deshi që automjeti ishte i blinduar dhe e shpëton Norën, ajo rikuperohet dhe 22 vite pas vjen për të na treguar historinë e një prej disa të rinjve nga Prishtina, që punuan në misione të huaja.

Intervistën e plotë të Nora Visoka – Weller, mund ta shihni në videon më poshtë.