
Nora Gjakova në Grand Slam Paris 2025, më 01.02.2025, Foto: KOK/Facebook
Nora Gjakova i sjell medaljen e tretë Kosovës nga Parisi
Pas Akil Gjakovës që mori medaljen e argjendë dhe Distria Krasniqit që siguroi medaljen e bronztë në Grand Slamin e Parisit, edhe xhudistja Nora Gjakova u stolis me të bronztën.
Federata e Xhudos në Kosovë e ka vlerësuar paraqitjen e Norës të jashtëzakonshme, duke mposhtur në xhiron e parë me dy Wazaari për Ippon, francezen Rania Drid.
“Duke vazhduar në xhiron e dytë, ku mposhti me yuko dhe Ippon, kroaten Iva Oberan. Në çerekfinale Gjakova humbi me yuko, nga japonezja Megu Danno. Kurse në repasazh mposhti me dy Wazaari për Ippon, garuesen nga Spanja, Cristina Cabana Perez. Në ndeshjen vendimtare, ajo mposhti holandezen Joanne Van Lieshout” – ka njoftuar Federata e Xhudos e Kosovës më 01.02.2025.
KOK kishte njoftuar më 31.01.2025 se pas gjashtë muajsh, ekipi olimpik i xhudos rikthehet në gara dhe pikërisht në qytetin e Parisit, ku së fundi, në Lojërat Olimpike u stolisën me dy medalje.
Përveç Akil e Nora Gjakovës dhe Distria Krasniqit, në Paris kanë shkuar të garojnë edhe Erza Muminoviq në kategorinë -52 kg dhe Dardan Cena.