Feride Rushiti. Foto: KALLXO.com.

Nominimi për çmimin Nobel për Paqe, Rushiti: Vlerësim për kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale gjatë luftës

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti deklaroi se nominimi për çmimin Nobel për Paqe për të dhe për organizatën që e drejton është një vlerësim për Kosovën dhe kauzën për të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës.

Më 16.01.2025,  Rushti njoftoi se së bashku me Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e Viktimave të Torturës (QKRMT) është nominuar nga deputeti i Parlamentit suedez,  Magnus Jacobsson, për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Rushiti tha gjatë konferencës për media më 17.01.2025 se ky nominim është një vlerësim për punën 25-vjeçare që ka bërë QKRMT-ja për kauzën, konkretisht për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, por edhe një vlerësim që i bëhet Kosovës. Ajo tha se ky nominim do të fuqizojë zërin e viktimave të dhunës seksuale.

“Mbi të gjitha është një vlerësim për kauzën e të mbijetuarve të dhunës seksuale, kauzë kjo e cila që nga viti 1998 kur kam filluar të punojë si mjeke e re me kosovarët që në atë kohë ishin të zhvendosur, i bën të ndjehen mirë, i bën të vlerësuar, dhe shpresojmë ky nominim realisht e nxjerr Kosovën, në një situatë ndërkombëtare, ku zëri i të mbijetuarve të dhunës seksuale ndihet edhe ndërkombëtarit”- tha Rushiti më 17.01.2025.

Për punën e saj në rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale, ajo bashkë me QKRMT-në është vlerësuar edhe me çmime ndërkombëtare, por nominimi për çmimin Nobel për Paqe, për Rushtitn e bën më të veçantë vlerësimin për punën e saj.

“Duhet të punojmë edhe më shumë për faktin se të mbijetuarit e dhunës seksuale, përtej arritjeve dhe zhvillimeve që i kemi bërë në këto 25 vjet, ka ende punë dhe angazhim qoftë në arritjes së drejtësisë, rehabilitimit, adresimit të stigmës e çështje të tjera që ato i adresojnë”- tha Rushiti.

Rushiti tregoi se për nominimin ka marrë telefonata të shumta duke përfshirë edhe politikanët kosovarë. Ajo tha se pret mbështetjen e institucioneve për lobim për çmimin Nobel për Paqe.

Ndërkaq në një bisedë për KALLXO.com, deputeti suedez Magnus Jacobsson tha se gjatë një vizite që kishte pasur në Kosovës në vitin 2022, kishte parë edhe punën e mirë që po bënte QKRMT-ja për rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

“Shpresoj që çmimi Nobel për Paqe, i cili shpesh shkon për OJQ-të të cilat punojnë për këto lloj çështjesh dhe mendoj që situata historike në Ballkan por po ashtu edhe realiteti që akoma nuk kemi atë që ne në Skandinavi e quajmë “Paqe të ngrohtë”, kur ka paqe me marrëdhënie të mira. Akoma është një situatë që ka paqe por jo marrëdhënie të mira. Shpresoj të ngris situatën dhe po ashtu të theksohet se sa është e rëndësishme të shohim situatën e grave në luftë. Mendoj që janë një organizatë shumë e mirë dhe shpresoj që Komiteti i Çmimit Nobel për Paqe do të vazhdojë me sugjerimin tim”- tha ndër të tjerash deputeti sudez në një bisedë për KALLXO.com më 17.01.2025.

Propozimi

Më 16.01.2025, Rushiti bëri të ditur se bashkë me QKRMT-në është nominuar nga deputeti i Parlamentit suedez, Magnus Jacobsson, për çmimin Nobel për Paqe për vitin 2025.

Bashkë me njoftimin, ajo ka publikuar edhe propozimin për nominim të bërë nga deputeti Jacobsson, me të cilin Rushiti tha se është takuar dy vite më parë, ku edhe ka pasur rasti të bisedojë lidhur me misionin e QKRMT-së, sfidat dhe vështirësitë për rehabilitimin e viktimave të dhunës seksuale.

Në propozimin e tij për nominim, deputeti suedez Jacobsson ka renditur punët që ka bërë Rushiti dhe QKRMT-ja në avancimin e të drejtave të njeriut, mbrojtjen dhe rehabilitimin e të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës.

Sipas propozimit të deputetit Jacobsson, Rushiti i ka kushtuar karrierën e saj adresimit të efekteve shkatërruese të torturës, dhunës seksuale dhe mizorive të tjera të kohës së luftës, dhe se nën udhëheqjen e saj, QKRMT ka ofruar mbështetje mjekësore, psikologjike dhe ligjore për mijëra të mbijetuar të dhunës seksuale e duke bërë që të dëgjohet zëri i tyre.

“Avokimi i dr. Rushitit për njohjen e të mbijetuarve të dhunës seksuale të kohës së luftës ka transformuar diskursin kombëtar në Kosovë. Përpjekjet e saj të palodhura çuan në krijimin e një kuadri ligjor që i njeh këta të mbijetuar si viktima civile të luftës, duke u mundësuar atyre të kenë akses në reparacionet e vonuara prej kohësh. Kjo arritje historike, e realizuar në vitin 2017, ka sjellë dinjitet dhe mbështetje financiare për shumë të mbijetuar dhe qëndron si një fener shprese për drejtësinë pas konfliktit në mbarë botën”- thuhet në propozimin e deputetit suedez.

Sipas propozimit të deputetit suedez, puna e Rushiti dhe QKRMT-së i mishëron gjitha idealet, për të cilat dikush vlerësohet me çmimin Nobel për Paqe, siç janë: puna që nxit paqen, drejtësia dhe pajtimi.

Çmimi Nobel për Paqe zakonisht bëhet i ditur në muajin tetor të çdo viti.