Reperi Noizy - Foto: Facebook
Noizy dorëzohet në Polici, pritet të ndalohet për 48 orë
Këngëtari nga Shqipëria Rigels Rajku, i njohur si Noizy, është dorëzuar në stacionin policor në Pejë disa muaj pasi ishte shpallur në kërkim nga Policia e Kosovës.
Lajmi për KALLXO.com është konfirmuar nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Pejë, Shkodran Nikçi.
“Është dorëzuar në stacionin policor, do të hetohet nga hetuesit policorë dhe më pas do të ndalohet për 48 orë” – tha Nikçi për KALLXO.com.
Rigels Rajkun, i njohur si Noizy, si dhe Bahtjar Bajraktarin, shtetas i Kosovës, janë të dyshuar për veprën penale – lëndim i rëndë trupor, pas një rrahje që kishte ndodhur në një diskotekë në Pejë.
Policia e Shtetit më 07.08.2024 kishte arrestuar Noizyn dhe Bajraktari.
Në kërkim të Policisë së Kosovës ishte shpallur edhe Arkimed Lushaj, këngëtari nga Shqipëria i njohur si Stresi.
Katër ditë më parë, më 01.11.2024 Lushaj ishte dorëzuar në Policinë e Kosovës, në objektet e drejtorisë rajonale në Pejë.
Stresi ishte shpallur në kërkim të Policisë më 06.08.2024 si i dyshuar për ndihmë në kryerjen e veprës penale – lëndim i rëndë trupor.
Një ditë pas dorëzimi, Stresi, është liruar nga ndalimi prej 48 orësh, pasi njëjtit i është ofruar mundësia e dorëzanisë me shumën prej 20 mijë euro i kishte paguar ato.
Pas rrahjes në diskotekë, reperi Noizy kishte reaguar më 06.08.2024, duke thënë se nuk është në arrati e se në këtë rast është viktimë e një kallëzimi të rremë.
“Prej disa ditësh jam bërë pjesë e titujve mediatik si pasojë e një denoncimi të padrejtë kundrejt meje, për një ngjarje të ndodhur në Pejë, ku unë nuk kam gisht fare, zero” – tha Noizy në reagimin e tij.
Ai tutje shtoi se po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë të cilën pretendon që është duke u bërë ndaj tij.
“Dua të bëj me dije dhe garantoj këdo dhe çdo institucion se kurrsesi nuk jam në arrati apo sfidim ndaj drejtësisë, por po ndjek rrugën ligjore me profesionistë të fushës për të shmangur kurthin e padrejtësisë ndaj meje dhe dhënë zgjidhje çështjes në bashkëpunim me organet e drejtësisë në Kosovë” – tha reperi.
Ai tutje shtoi se bashkë me studio të avokatisë do të kontribuojnë maksimalisht për të shuar çdo dyshim që rëndon ndaj tij.
Stresi dërgohet në mbajtje për 48 orë