Protestat me kërkesën për dorëheqje të kryeministres së Bangladeshit, Sheikh Hasina, Pamje nga një video e AP-së
Nobelistit të Paqes i besohet qeverisja e Bangladeshit
Laureati i çmimit Nobel për Paqe, Muhammad Yunus, është betuar si kryeministër i Qeverisë së përkohshme të Bangladeshit pas protestave që rezultuan me dorëheqjen e Sheika Hasinas në fillim të javës, raporton AP.
Detyrat kryesore të Yunusit janë rikthimi i rendit e paqes në Bangladesh si dhe përgatitja e zgjedhjeve të reja pas rrëzimit të Hasinas, e cila është arratisur në Indi pas protestave studentore kundër sistemit të kuotave për punësim në administratën shtetërore që u shndërruan në pakënaqësi të madhe popullore. Kështu iu dha fund sundimit autokratik 15-vjeçar të Hasinas.
Presidenti Mohammed Shahabuddin ka administruar betimin e liderit të ri qeveritar si kryekëshilltar, sikur që njihet posti i kryeministrit, në prani të diplomatëve, anëtarëve të shoqërisë civile, biznesmenëve më të lartë dhe një numri figurash të larta të partive opozitare në pallatin presidencial në Dakë. I pranishëm nuk ishte asnjë anëtar i partisë së Hasinas.
Qeveria 16-anëtarëshe përbëhet kryesisht prej figurave të shoqërisë civile dhe përfshin edhe dy liderët e protestave studentore. Ministrat janë zgjedhur pas diskutimeve që janë mbajtur gjatë javës në mesin e liderëve të lëvizjes studentore, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe ushtrisë.
Protestat nisën në gusht kundër sistemit të kuotave për punësim në qeveri. Kritikët akuzonin qeverinë se po punësonte vetëm njerëzit e lidhur me pushtetin e Hasinas. Pas protestave dhe vrasjes së qindra protestuesve dhe policëve, Hasina u arratis të hënën (05.08.2024) nga Bangladeshi në Indi, derisa protestuesit sulmuan pallatin presidencial./AP
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com