Medalja e Nobelit, Foto: REL

Nobeli për Kimi u ndahet tre shkencëtarëve të proteinave

Çmimi Nobel për Kimi u është ndarë më 09.10.2024 tre shkencëtarëve për punën e jashtëzakonshme për parashikimin dhe dizajnimin e strukturës së proteinave, raporton AP.

Shpërblimi u është ndarë David Bakerit, i cili punon në Universitetin e Uashingtonit në Seattle, Demis Hassabisit dhe John Jumperit, të cilët punojnë në “Google DeepMnd”, laborator amerikano-britanik i kërkimit të inteligjencës artificiale me seli në Londër.

Heiner Linke, që kryeson Komitetin e Nobelit për Kimi, ka thënë se çmimi ka nderuar kërkimin që bëri ndërlidhjet ndërmjet sekuencës së aminoacideve dhe strukturës së proteinës.

“Kjo në të vërtetë është quajtur një sfidë e madhe në kimi, dhe sidomos në biokimi, për dekada me radhë. Andaj është një arritje e jashtëzakonshme që shpërblehet sot”, ka thënë ai.

Bakeri dizajnoi një proteinë të re më 2003 dhe grupi i tij kërkimor prej atëherë ka prodhuar proteina imagjinatave njëra pas tjetrës, përfshirë proteina që mund të përdoren në farmaceutikë, vaksina, nanomateriale dhe censorë të vegjël, ka bërë të ditur Komiteti i Nobelit.

“Numri i dizajnëve që ata kanë prodhuar dhe publikuar dhe lloji i tyre, është absolutisht goditës. Duket se ju mund të konstruktoni çfarëdo lloj proteine tani me këtë teknologji”, ka thënë profesori Johan Aqvist nga Komiteti i Nobelit.

Hassabis dhe Jumper krijuan një model të inteligjencës artificiale që mund të parashikojë strukturën e virtualisht të gjitha 200 milionë proteinave që i kanë identifikuar shkencëtarët.

“Proteinat janë molekula që mundësojnë jetën. Proteinat janë blloqe ndërtuese që formojnë eshtrat, lëkurën, lëkurën dhe indet”, ka thënë Linke. “Për ta marrë vesh si funksionon jeta, së pari duhet ta marrim vesh formën e proteinave”.

Linke ka thënë se shkencëtarët prandaj kanë ëndërruar kaherë parashikimin e strukturës tridimensionale të proteinave.

Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com