Nju Jork, vritet Shefi ekzekutiv i kompanisë 'UnitedHealthcare'

Drejtuesi i firmës ‘UnitedHealthcare’, Brian Thompson, u vra mëngjesin e së mërkurës pranë një hoteli në Manhatan, ku viktima ndodhej për një takim me investitorët. Hetuesit dyshojnë se vrasja e tij është bërë “me paramendim”.

“Vrasja ishte e qëllimshme.” – tha Jessica Tisch, komisionerja e Policisë së Nju Jorkut. Guvernatorja e Nju Jorkut, Kathy Hochul e dënoi vrasjen – duke thënë gjithashtu se bëhej fjalë për një sulm të qëllimshëm ndaj drejtuesit të kompanisë ‘UnitedHealthcare’.

Pesëdhjetë vjeçari Thompson pritej të mbante një fjalim para investitorëve, kur u qëllua rreth orës 6:45 të mëngjesit pranë hotelit ‘Hilton Midtown’ të Nju Jorkut. Sipas Policisë, sulmuesi fillimisht u largua në këmbë dhe më pas mori një nga biçikletat elektronike, që ofrohen me qira për t’u larguar drejt parkut kryesor të Manhatanit.

Zoti Thompson u dërgua në spital, por mjekët nuk arritën t’ia shpëtonin jetën. Policia është ende në kërkim të autorit dhe deri në publikimin e këtij artikulli nuk kishte të arrestuar. Pavarësisht se zyrtarët thanë se sulmi pati zotin Thompson si objektiv, ata nuk kishin ende një motiv për vrasjen.

Kryebashkiaku i Nju Jorkut, Eric Adams tha se Policia po shqyrtonte provat nga vendi i ngjarjes – përfshirë videot e siguruara nga momenti i ngjarjes.

“Duket qartë se ai ishte në shënjestër nga një individ dhe ne do ta kapim atë.” – tha zoti Adams.

‘UnitedHealthcare’ është pjesë e firmës së kujdesit shëndetësor ‘UnitedHealth Group’. Kompania, me bazë në Minesota, kishte planifikuar të mbante takimin e saj vjetor me investitorët në Nju Jork, për t’i informuar ata mbi drejtimin dhe pritshmëritë e kompanisë për vitin e ardhshëm – sipas një njoftimi të kompanisë për mediat. Një njoftim tjetër – që iu dha pjesëmarrësve të mërkurën në mëngjes – tha se Konferenca po përfundonte më herët.

Hoteli ‘Hilton Midtown’ është në një pjesë të ngarkuar të Manhatanit – shumë pranë zonave turistike si Muzeu i Artit Modern dhe Qendra ‘Rockefeller’. Kjo lagje është shpesh e mbushur me turistë e punonjës zyrash, në mëngjeset e ditëve të javës. Ndriçimi i pemës së Krishtlindjes në Qendrën ‘Rockefeller’ do të bëhet të mërkurën në mbrëmje.

Zoti Thompson ishte drejtues i firmës për më shumë se tre vjet. Ai punoi me ‘UnitedHealthcare’, që nga viti 2004.

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i shprehu ngushëllimet familjes dhe firmës në rrjetin social X.

“Ky është një lajm dhe një humbje e tmerrshme për biznesin dhe komunitetin e Kujdesit Shëndetësor në Minesota.” – shkroi demokrati Walz.

‘UnitedHealthcare’ është firma më e madhe e sigurimeve shëndetësore në Shtetet e Bashkuara./VOA.