Njohja nga Izraeli, Haradinaj-Stublla bisedoi me homologun turk

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës, Meliza Haradinaj Stublla ka zhvilluar një bisedë telefonike me ministrin e Jashtëm të Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu.

Sipas një komunikate për media, Haradinaj-Stublla e ka falënderuar homologun turk për përkrahjen e vazhdueshme që shteti turk i ka dhënë Kosovës në vazhdimësi.

“Shpreha mirënjohje ndaj shtetit të Turqisë për përkrahjen në vazhdimësi të Republikës së Kosovës, në rrafshin bilateral dhe atë të forcimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës”, ka thënë minstrja Haradinaj Stublla.

Kryediplomatja ka shtuar se shteti i Kosovës është i përkushtuar që njohjet ndërkombëtare të shtohen dhe të fuqizohet subjektiviteti ndërkombëtar i saj.

“Ne si shtet i ri, jemi të përkushtuar që njohjet tona ndërkombëtare të shtohen dhe të fuqizohet subjektiviteti ynë ndërkombëtar. Do të vazhdojmë të bashkëpunojmë ngushtë me miqtë tanë me të cilët kemi të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi dhe raporte të pathyeshme.” ka theksuar ministrja Haradinaj.

Shefja e diplomacisë ka rikonfirmuar se marrëdhënia e ngushtë bashkëpunuese më Turqinë është e shkëlqyeshme duke shtuar se synohet avancimi i interesave të përbashkëta në drejtim të forcimit të ndërsjellë.

Ministria e Jashtme e Turqisë kishte kundërshtuar synimin e qeverisë së Kosovës për ta hapur ambasadën në Jerusalem, dy ditë pasi shteti i Lindjes së Mesme, Izraeli vendosi marrëdhënie diplomatike me Kosovën.

Në një deklaratë të lëshuar të dielën e kaluar, MPJ e Turqisë tha se ka kuptuar nga postimet në rrjetet sociale të Presidentit Hashim Thaçi, kryeministrit Avdullah Hoti dhe ministres së jashtme, Meliza Haradinaj-Stublla se, përveç njohjes së dyanshme me Izraelin, Kosova është zotuar për ta hapur ambasadën e saj në Jerusalem.

Kurse, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka deklaruar  se është në kontakt me presidentin e Turqisë, Rexhep Taip Erdogan pas njohjes nga Izraeli.

“Për hir të transparencës, dëshiroj të ju informoj se dhe shqetësimi që kemi marrë nga Liga Arabe por edhe nga presidenti Erdogan sa i përket njohjes së ndërsjellë Izrael-Kosovë. Unë jam në kontakt me presidentin Erdogan, kam diskutuar në telefon dhe kjo njohje Kosovë-Izrael nuk do ta cenojë në asnjë rrethanë partneritetin strategjik dhe miqësor e vëllazëror me Turqinë”, tha Thaçi sot në Prishtinë.

“Kështu që tani do të kemi aleatë edhe më të mëdhenj e më të fuqishëm në rrafshin e fuqizimit global të shtetit të Kosovës”, shtoi ai.