Ilustrim

Njoftimi i Prokurorisë së Prishtinës për hetimet në rastin e vrasjes së gruas shtatzënë erdhi 2 orë pas vetëvrasjes së të dyshuarit

Prokuroria Themelore në Prishtinë në orë 15:29 ka dërguar për media një njoftim në të cilin tregon se është duke ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për rastin e vrasjes së 35-vjeçares Hamide Magashi.

Në këtë njoftim, Prokuroria në Prishtinës ka thënë se rastin janë duke e trajtuar me seriozitet.

Ajo çfarë vërehet në njoftim është që prokuroria ka thënë se janë duke punuar edhe që të dyshuarin për vrasjen e Hamide Magashit ta sigurojnë në procedurë.

“Prokuroria e Prishtinës njofton se nga momenti kur është pranuar informata për kryerjen e veprës penale e deri më tani janë ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore për sigurimin e provave  dhe sigurimin e pranisë së të pandehurit në procedurë, si dhe me të pranuar informatën lidhur me rastin prokurori kujdestar menjëherë ka dal në vendin e ngjarjes së bashku me gjitha njësitet relevante policore”- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Themelore të Prishtinës.

“Sigurojmë opinionin publik se ky rast është duke u trajtuar me seriozitetin më të lartë nga Prokuroria Themelore në Prishtinë”- vazhdon tutje njoftimi.

Në anën tjetër një njoftim i tillë iu dërgua mediave për gati 2 orë prej kur i dyshuari për vrasjen e gruas shtatzënë kishte kryer vetëvrasjen brenda shtëpisë së tij në fshatin Godancë në Shtime.

Pra Policia e Kosovës njoftoi sot se Sokol Halili ishte lokalizuar nga policia dhe nuk kishte pranuar dorëzimin pavarësisht tentimit për negocim dhe rreth orës 13:45 i njëjti ka bërë vetëvrasje.

Negocimi për dorëzim u bë brenda shtëpisë, Sokol Halili në vazhdimësi mbante armën në kokë

Pamje nga ndërhyrja e Policisë në shtëpinë e të dyshuarit për vrasjen e ish-gruas së tij