
Njoftimet për anulimin e tenderëve për stadiumet, MKRS i quan 'gabim teknik gjatë publikimit'
Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit më 27.02.2025 në platformën E-prokurimi ka publikuar njoftime për anulimin e procedurës së prokurimit për renovimin e stadiumit ‘Adem Jashari’ në Mitrovicë, renovimin e stadiumit të qytetit në Gjilan dhe ndërtimin e stadiumit të qytetit në Pejë.
Sipas MKRS-së janë anuluar ‘njoftimet paraprake’ që ishin publikuar pak kohë më parë.
“Na lejoni të ju informojmë se Zyra e Prokurimit në MKRS nuk e ka anuluar asnjë procedurë të prokurimit (por i ka anuluar Njoftimet Paraprake), si i tillë llogaritet se kemi të bëjmë me një gabim teknik gjatë publikimit” – thuhet mes tjerash në përgjigjen e MKRS-së.
Më tutje, në përgjigjen e tyre thuhet se njoftimet paraprake ishin të panevojshme për shkak se këto procedura ose kanë kontratë ose janë në fazë të vlerësimit, prandaj edhe u anuluan njoftimet paraprake.
Vlera e parashikuar e tenderit për ndërtimin e stadiumit të Pejës ishte 19 milionë euro, e renovimit të stadiumit në Gjilan 15 milionë dhe e renovimit të stadiumit ‘Adem Jashari’ ishte 3 milionë.
Brenda dokumenteve të prokurimit, më saktësisht te pjesa e ‘informacioneve shtesë’, thuhet se këto aktivitete nuk janë anuluar.
“Kjo njoftim është njoftim gabimisht i vendosur pasi që procedura në fjalë është procedurë në fazën e vlerësimit” – thuhet mes tjerash në ‘informacionet shtesë’ tek njoftimi për anulimin e ndërtimit të stadiumit në Pejë.
Ngjashëm thuhet edhe tek njoftimi për anulimin e renovimit të stadiumit të Gjilanit.
“Kjo njoftim është njoftim gabimisht i vendosur pasi që procedura në fjalë është procedurë e kontraktuar” – thuhet në njoftimin për anulimin e proedurës për renovimin e stadiumit ‘Adem Jashari’.
Duke qenë se në disa media u publikua si lajm që këto tenderë janë anuluar, MKRS ka dalë edhe me sqarim zyrtar duke thënë se nuk janë anuluar procedurat.
“Lidhur me raportimet e fundit të mediave për anulimin e procedurave për stadiumin e Pejës, Mitrovicës dhe Gjilanit, sqarojmë se ato nuk janë anuluar. Sa i përket stadiumeve në Gjilan dhe Pejë, proceset janë në fazën e vlerësimit si procedura të rregullta dhe MKRS do të dalë me rezultate në ditët në vijim. Po ashtu, sqarojmë se asnjë kontratë ekzistuese nuk është anuluar” – thuhet në sqarimin publik të MKRS-së.
Në lidhje me këto tri stadiume, Stadiumin e Gjilanit, të Pejës dhe atë të Mitrovicës, janë publikuar video të ndryshme në rrjetin social TikTok për projektet ideore dhe punimet, të cilat mund t’i gjeni KËTU, KËTU dhe KËTU.