Njësite të shtuara të EULEX-it në urën e Ibrit

Njësite të shtuara të EULEX-it janë parë duke qëndruar në urën e Ibrit sot gjatë ditës.

Pranë kësaj ure, në pjesën veriore të Mitrovicës, në sheshin kryesor sot është mbajtur tubimi i grave dhe nënave serbe për të cilën njoftoi Lista Serbe gjatë ditës së djeshme.

Përpos EULEX-it, prezent afër urës kanë qenë edhe Policia e Kosovës dhe njësite të “Carabinieri MSU”.

Policia përmes një komunikate për media njoftoi gjatë ditës se do të përkujdesen për mbarëvajtje të tubimit.

Tubime të tilla janë mbajtur edhe në Graçanicë dhe në Shterpcë.

Ka tash e disa muaj që situata në veri të vendit është e tensionuar.

Tensionet u krijuan pas dy vendimeve të Qeverisë së Kosovës. Njëri për njohjen e letërnjoftimeve në mes dy vendeve fqinje, Kosovë-Serbi dhe tjetri për targat ilegale në Kosovë.

Vendimi i Qeverisë parasheh që të gjitha veturat që janë të pajisura me targa ilegale t’i regjistrojnë ato në RKS.

Për çështjen e targave, ekzekutivi ka marr një vendim me disa faza që është paraparë që të zbatohen në Kosovë.

Ky plan me faza ka nisur nga 1 nëntori. Faza e parë përfshinte qortimin e shoferëve, e dyta shqiptimin e gjobës prej 150 eurosh për ata shoferë, dhe e treta targat provuese.

Faza e dytë ishte paraparë që të fillonte më 21 nëntor, por që më pas ishte shtyrë për një ditë.

Një komunikatë e Policisë së Kosovës kishte bërë të ditur që fillimi i shqiptimit të gjobave do të fillonte më 22 nëntor 2022, nga ora 08:00 e mëngjesit.

Mirëpo ende pa u bërë i 22-ti, me kërkesë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kurti vendosi që kjo fazë të shtyhet edhe për 48 orë.

Zbatimi i këtij plani është paraparë të përfundojë më 21 prill dhe nga ajo datë, parashihet që në komunikacion të lejohen vetëm makina me targa të ligjshme, RKS, apo Republika e Kosovës.

Vendimi për targa ka bërë që të ketë tensione të ngritura në veri të vendit, duke bërë që edhe serbët të japin dorëheqje nga institucionet e Kosovës, nisur nga policia deri te Kuvendi dhe Qeveria.

Në anën tjetër takimet tre palëshe kanë qenë prezente ditëve të fundit në mes dy shteteve Kosovë-Serbi dhe ndërkombëtarëve.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe ai i Serbisë, Aleksandër Vuçiq u takuan të hënë në Bruksel, por që nuk pati ndonjë marrëveshje gjatë takimit të tyre trepalësh.

Ndërsa sot u raportua se kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq – nën ndërmjetësim të të dërguarit të Bashkimit Evropian për dialogun, Mirosllav Lajçak – do të takohen në Bruksel për të diskutuar zgjidhjen për çështjen e targave ilegale serbe.

Kështu i thanë burimet diplomatike Radios Evropa e Lirë, sipas të cilave palët kanë konfirmuar pjesëmarrjen në këtë takim, që është konsideruar urgjent.