Foto: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës/Facebook

Njësitë e FSK-së kthehen në Kosovë pas përfundimit të operacionit të kërkim-shpëtimit

Me urdhër nga Shtabi i Përgjithshëm i FSK-së, kontingjenti i përbërë nga njësitë e Kërkim-Shpëtimit, Kompania për Operacione Civile, Mjekësisë, Policisë Ushtarake dhe ajo e Komunikimit, dje në mbrëmje kanë përfunduar operacionet në mbështetje të autoriteteve të Shqipërisë për menaxhimin e situatës së krijuar nga tërmetet në Shqipëri.

Njësitë e Gardës Kombëtare të FSK-së, janë falënderuar për punën profesionale, përkushtimin dhe angazhimin e tyre gjatë kësaj kohe krize nga të gjithë liderët shtetëror dhe qytetarët e shumtë të Shqipërisë.

Për të përshëndetur dhe falënderuar angazhimin e FSK-së në këto operacione, kishte ardhur edhe zëvendës Shefi i Shtabit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë, Gjeneralbrigade Manushaqe Shehu.

Ajo pasi falënderoi FSK-në për angazhimin në operacionet e këtyre ditëve, përcjelli edhe falënderimet e ministres së Mbrojtjes së Shqipërisë Olta Xhaçka si dhe të Shefit te Shtabit Gjeneralbrigade, Bardhyl Kollçakut.

Në prani edhe të atasheut ushtarak të FSK-së në Shqipëri, Kolonel Bashkim Shillova, ushtarakët tanë janë nderuar me mirënjohje nga ana e Forcave Ushtarake të Republikës së Shqipërisë.

Me të përfunduar takimi me zv.Shefen e Shtabit, njësitë e FSK-së, filluan me procesin për ri-dislokim.