Foto: Florinda Kelmendi/KALLXO.com

Njësia Speciale e Policisë vendoset në afërsi të stacionit policor në Mitrovicë të Veriut

Pjesëtarë të Njësisë Speciale Operative (NJSO) të Policisë së Kosovës dhe të Njësisë së Reagimit të Shpejtë (NJRSH) janë vendosur në afërsi të stacionit policor të Mitrovicës së Veriut, më saktë në fillim të rrugës që të dërgon te ky stacion.

Afër stacionit aktualisht është një numër i qytetarëve të komunitetit serb që po qëndrojnë para degës së Gjykatës Themelore të Mitrovicës në veri, në të cilën është duke u mbajtur seanca ndaj katër personave që u arrestuan si të dyshuar për ofendim e sulm ndaj Policisë së Kosovës.

Ekipi i KALLXO.com që gjendet në terren raporton se poshtë në rrugën ku është stacioni e Gjykata janë parë edhe disa autoblinda të Policisë.

Protestuesit janë duke kundërshtuar arrestimin e katër qytetarëve, teksa në krye të tyre që nga ora 10:00 e mëngjesit ka qenë politikani serb Aleksandar Arsenijeviq.

Edhe në hyrje të stacionit policor e edhe në oborrin e Gjykatës janë parë policë të rendit, të cilët pasdite i kanë veshur jelekët antiplumb si dhe kanë vendosur helmetat në kokë.

“Lirojini fëmijët” është thirrja e protestuesve të cilët janë duke protestuar afër stacionit policor në veri sot më 11.09.2024.

Lajmin për KALLXO.com e konfirmoi edhe zv.drejtori i Drejtorisë Rajonale Mitrovicë-Veriu të Policisë së Kosovës, Veton Elshani, i cili potencon se Gjykata do të vendosë nëse të njëjtit shkojnë në procedurë të rregullt apo në paraburgim në afat prej një muaji.

“Para dy netëve, dje në mëngjes pas gjysmës së natës ka ndodhë një arrestim ku i kemi arrestu katër persona lidhur me sulm ndaj personit zyrtar gjatë kryerjes së detyrës zyrtare dhe tashmë njerëzit janë mbledhur për protestë për lirimin e këtyre personave. Dje e kemi dërguar lëndën te prokurori. Prokurori e ka dërgu lëndën në gjykatë dhe tash pritet të mbahet seanca gjyqësore dhe vendos gjykata nëse shkojnë në procedurë të rregullt apo në paraburgim një mujor”- tha ai për Kallxo.com.