Ilustrim

Njësia Speciale arreston dy persona në Gjilan, kapen me kokainë

Mbrëmjen e kaluar Njësia Speciale në Gjilan kanë ndaluar një veturë me targa të Bujanocit, ku gjendeshin dy persona, shqiptar shtetas serb.

Pas ndalimit sipas njoftimit të policisë, këta të fundit kanë filluar kontrollimin dhe identifikimin e tyre.

Sipas policisë, ngasësi i veturës M. R ka ikur nga vendi i ngjarjes ku më pas është ndaluar nga ana e zyrtarëve policor edhe përkundër rezistencës së vazhdueshme.

Kapja e tij u bë në një nga bodrumet e një kompleksi banesor në të cilin ishte futur për t’iu ikur policisë.

“Në afërsi të vendit të ndaljes është gjetur dhe konfiskuar një sasi e dyshuar e substancës narkotike që besohet të jetë e llojit kokainë”, thuhet në njoftimin e Policisë së Rajonit të Gjilanit.

Të dy të dyshuarit janë arrestuar dhe janë dërguar në stacionin policor ndërsa është konfiskuar substancë narkotike e llojit kokainë në peshë prej 56.4 gram.

“Përveç substancës narkotike janë konfiskuar edhe  4 telefona celular , 90 Euro, 980 Dinar serb  dhe një  veturë e tipit Audi, si prova materiale për Gjykatë. Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit.  Të dyshuarit, janë intervistuar në prani të avokatëve mbrojtës. Pas procedurave ligjore që të dy të dyshimtit ndalohen në mbajtje policore për 48 orë”, thuhet në njoftim.

Të dy të dyshuarit po dyshohen për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje të paautorizuar të lëndëve narkotike.