Foto: Denis Sllovinja / Termocentral , Obiliq , Kek

Njësia B2 e termocentralit 'Kosova B' për tetë ditë jashtë funksionit

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) ka njoftuar se në njësinë B2 të termocentralit ‘Kosova B’ ka filluar revizioni i rregullt vjetor, që parashihet të kryhet brenda tetë ditëve.

Sipas njoftimi kjo bëhet për të ngritur sigurinë e operimeve dhe është planifikuar që në fillim të vitit.

“Korporata Energjetike e Kosovës njofton opinionin se bazuar në Bilancin Vjetor Elektro-Energjetik (BVEE), dhe me qëllim të ngritjes së sigurisë së operimeve dhe stabilitetit të njësive gjeneruese gjatë periudhës së dimrit, njësia B-2 e termocentralit Kosova B, ka filluar revizionin e rregullt vjetor (8 ditorë) nga sot deri më datën 15. 11. 2022”- thuhet në njoftimin e KEK.

Korporata Energjetike e Kosovës ka njoftuar se aktualisht është duke prodhuar me kapacitet prej 500 MW/H.

Ndërsa nga njësia B1 do të furnizohet edhe Termokosi me rreth 45-50 MW/H.