“Njeriu me top” që po sfidon rekordet e Ginisit (VIDEO)

Ka mbi 20  rekorde botërore dhe 6 rekorde në Librin e Ginisit, por librit me gjasë do t’i duhen “fletë” tjera për Agim Agushin nga Komuna e Vitisë.

Ai nuk e ka ndërmend të ndalet për ta shënuar emrin e tij në librin e pafund të sukseseve jo të zakonshme.

Duke goditur topin me kokë, ai ka arritur që të fusë emrin e Kosovës në librin e famshëm të rekordeve, duke e promovuar sa më shumë vendin nga vjen.

 

 

Në një intervistë për KALLXO.com, Agushi tregon si ka vendosur që të bëhet rekordmen.

“Ka qenë pikërisht 15 tetori i vitit 2000 kur unë kam filluar në mënyrë sistematike të sfidoj rekorde të botës, sepse atëherë arrita t’i gjej disiplinat dhe listën e rekordeve botërore. Fillimisht kam kërkuar listën e rekordeve mbarë shqiptare, tek shqiptarët, mirëpo nuk kam hasur në një enciklopedi të tillë, vetëm listën e rekordeve botërore dhe listën e rekordeve Ginnis e kam hasur dhe prej atëherë kam vendosur që të merrem në mënyrë sistematike për të sfiduar rekorde Ginnis”, thotë ai.

Lëndimi në këmbë ia kishte pamundësuar që të vazhdojë pasionin e tij për futbollin, mirëpo Agushi kishte gjetur një mundësi tjetër që të performojë me top.

“Futbolli për mua ka qenë pasion që nga fëmijëria, kam qenë anëtari i klubit futbollisitik ‘Sudovina’ që ka garuar në ligën e parë të Kosovës para luftës, në vitin 1995 kam pasur një lëndim në gjurin e djathtë, kam ndërprerë futbollin aktiv, dhe nuk kam planifikuar që jeta ime do të jetë jashtë fushës së gjelbërit”, shton Agushi.

E motivin kryesor për të thyer rekorde, Agim Agushit ia kishte dhënë një gazetar.

“Ka qenë një bashkëvendës i imi, Tefik Salihu që ka shkruar në gazetën ‘Dita’, ‘Agim Agushi synon rekordin botëror’. T’ju them të drejtën, 1 javë nuk kam fjetur sepse kjo ka qenë titull i madh për mua, kur thuhet rekord botëror”, kujton ai.

Për herë të parë në librin Ginis, Agushi kishte hyrë më 14 gusht të vitit 2005, ndërsa rekordin e parë botëror e kishte thyer në vitin 2002.

“Janë mbajtur garant në Fletsburg të Gjermanisë, 3 ditë gara kanë zhvilluar në disiplina të ndryshme, vetëm dy persona kemi qenë aty të cilët kemi sfiduar rekordet Ginis të tjerët kanë dështuar në disiplinat e tjera. Unë e kam realizuar rekordin tim në pozicionin ulur 4 orë e 2 min e 1 sekond”, thotë ai.

Agushi tregon se në rrethin familjar të tij, nuk është vetëm ai që është futur në librin Ginnis.

“Nuk jam i vetmi në listën e rekordeve Ginis në mbajtjen e topit të futbollit në kokë, e kam edhe djalin e vëllait që jeton dhe vepron në Zvicër, edhe ai është dy herë rekordmen i librit Ginis, djalin e motrës që është në Austri, edhe ai është rekordmen i botës për këto disiplina. Djali i motrës Bujar Ajeti në dhjetor do të realizojmë një rekord të librit të Ginisit në Kosovë pasi të vijë për pushime”, thotë ai

Pandemia, nuk e ka penguar 50 vjeçarin Agim Agushin që të thyejë edhe një rekord botëror në qytetin e Mitrovicës.

“I është dedikuar atyre që kanë humbur jetën, atyre që janë shëruar edhe dhashtë Zoti që të mos ketë raste të vdekjes dhe të infektuarve, dhe moto ka qenë për ata që simbolizoj një mesazh të rinjve që maskat duhet kur është një gjendje, një Agim Agushi të sfidoj një rekord të Ginisit gjatë gjithë kohës ta bartë një maskë kur dihet sesa kërkohet frymëmarrja, sa kërkohet kondicioni, atëherë përse njerëzit në një ecje normale nuk janë në gjendje 5 ose 10 minuta me mbajt maskën”

Në intervistën e tij për KALLXO.com, zhongleri Agim Agushi ka treguar edhe për ndihmën dhe përkrahjen që ia kanë dhënë institucionet e Kosovës në rrugën e tij.

“Kam pasur ndihmë, edhe prej nivelit qendror edhe prej nivelit lokal, prej nivelit qendror nga departamenti i sportit të Kosovës nga MRKS gjithmonë udhëtimet që i kam bërë jashtë në Gjermani, Turqi, Dubai, Venecie, nga kam shkruar nëpër botë shpenzimet akomodimin, fjetjes, ushqimit, biletat, ato kanë qenë prej ministrisë.

Agim Agushi i cili është edhe profesor i matematikës në gjimnazin ‘Kuvendi i Lezhës’ në Viti synon ti thyej mbi 10 rekorde në librin Ginis, dhe ai ka një porosi për të  gjithë të rinjtë që duan të thyejnë rekorde.

“Të merren me sport, të shkollohen, të aftësohen, të jenë dikushi në jetë”