Njeriu i afërt i Azem Sylës braktis Kadri Veselin

Ish- kandidati për kryetar të Fushë Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Adem Zogjani, ka thënë se nuk do të jetë pjesë e parisë së Kadri Veselit.

Ai në një postim në “Facebook”, ka njoftuar strukturat e partisë për këtë largim ndërsa ka thënë se PDK është degraduar.

“Në takimin e mbrëmshëm që kishim me miqtë dhe shokët më të mirë të rrugëtimit tonë, ju bëra me dije se unë Adem Zogjani nuk do jem anëtarë dhe simpatizant i PDK-s. Subjekti që isha 20 vite tani ka degraduar duke larguar dhe anashkaluar, duke ngritur e montuar aktakuza te ata që e formuan dhe forcuan PDK-n, dhe e sollën deri këtu”, ka shkruar Zogjani.

Madje, ish- anëtari i PDK-së e ka akuzuar njerëzit që janë pjesë e PDK-së për korrupsion, ndërsa ka pasur edhe një përgjigje për Kadri Veselin pasi ai ditë më parë prezantoi një “pakt kundër korrupsionit”.

“Subjekti politik është bashkim i njerëzve vullnetarë rreth një programi, rreth një kauze, rreth një ideologjie kombëtare e ligjore. Kryetari i PDK-s para ca ditësh bëri thirrje për tu bashkuar dhe nënshkruar Aktin kundër korrupsionit e shpërdorimit të detyrës zyrtare. Unë po i them atij se ti këtë nuk mund ta bëshë kur brenda administratës së subjektit tuaj i ke njerëzit më të korruptuar, shpërdorues të detyrës zyrtare, keqmenaxhim i parasë publike dhe donacioneve, dhe ju për të gjitha jeni në dijeni”, ka thënë tutje ai.

“Ju edhe pse jeni të njoftuar nga kompania audituese e Pasqyrave Finaciare e miratuar nga Kuvendi i Kosovës asnjë veprim nuk keni marrë gjer më sot….”, thuhet në fund të reagimit të tij.

Zogjani në shumë foto është parë së bashku me ish-deputetin e PDK-së, Azem Syla.

KALLXo.com kishte raportuar kohë më parë se djali i Adem Zogjanit, Liridon Zogjani ishte punësuar në Bordin e “Iber Lepancit”.

Në një mbledhje të Qeverisë, kryeministri Haradinaj kishte vendosur që djali i zyrtarit të PDK-së të punësohet në ndërmarrjen publike.

Ndërkohë, Adem Zogjani ishte i dënuar me 10 muaj burgim me kusht  nga një shumicë gjyqtarësh të EULEX-it për keqpërdorim të detyrës zyrtare. Mirëpo, ai ishte shpallur i pafajshëm nga Gjykata e Apelit.

Emërimi i kundërligjshëm në Bordin e kompanisë për menaxhimin e deponive

www.kallxo.com