Foto: Struma.bg

Njëri prej shoferëve jep detaje për aksidentin e autobusit me kosovarë në Bullgari

Njëri nga shoferët ka dhënë detaje lidhur me aksidentin autobusit me pasagjerë kosovarë i cili u aksidentua sot në mëngjes pasi ka goditur një kamion me dru në unazën e Kyustendilit në Bullgari.

Ahmed Abazi për mediat bullgare ka thënë se në momentin e aksidentin, përveçse frynte erë, edhe terreni ishte i rrëshqitshëm.

“Kishte shumë erë dhe rruga ishte e rrëshqitshme. Autobusi rrëshqiti, pasi për shkak të dukshmërisë në rrugë nuk e ka vërejtur kamionin”, ka thënë ai.

Sipas tij, derisa ka tentuar të shmangte ngricën, shoferi ka goditur kamionin.

Video, media bullgare “ТВ Запад”

Ai ka shtuar se nuk ka asnjë të lënduar, përveç shoferit, i cili u lëndua lehtë.

“Të tjerët janë të gjithë mirë dhe kanë vazhduar rrugëtimin, përveç meje që jam ndalur për të larguar autobusin nga këtu”, ka shtuar ai, raporton Telegrafi. 

Ai ka thënë se kanë qenë 32 njerëz brenda autobusit, si dhe dy shoferët.

Një autobus me pasagjerë nga Kosova është aksidentuar mëngjesin e sotëm në unazën e Kyustendilit në Bullgari.

KALLXO.com ka kontaktuar me kompaninë e autobusit që është aksidentuar në Bullgari, por të njëjtit kanë qenë të paqasshëm. Kompanisë i është lënë edhe një mesazh me pyetje por deri në publikimin e artikullit KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.