Njëri nga zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë ishte akuzuar edhe më parë për dhënie të subvencioneve në mënyrë të dyshimtë

Berat Nikaj është njëri nga zyrtarët e Ministrisë së Bujqësisë i arrestuar në aksionin e 24 shkurtit për keqpërdorim të detyrës zyrtare, për marrje e dhënie ryshfeti.

KALLXO.com zbuloi se Nikaj ishte akuzuar në vitin 2017 së bashku me disa persona të tjerë, pasi që dyshoheshin se në cilësinë e zyrtarëve për vlerësim dhe miratim të projekteve në AZHB-së, në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në Prishtinë, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm pasuror për vete dhe për një person tjetër – pronar i një biznesi kishin kryer vepër penale.

Të njëjtit kishin tejkaluar kompetencat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që nuk i ishin përmbajtur udhëzimit administrativ në vlerësimin dhe miratimin e dokumentacionit për një biznes të mishit dhe nuk e kishin respektuar udhëzimin për aplikimin pasi që biznesi nuk kishte pasur përvojë në lëminë e caktuar dhe pa plotësuar kushtet ka përfituar një grant të kundërligjshëm në vlerë të 201 mijë eurove.

Berat Nikaj ishte liruar nga Gjykata e Gjilanit dhe ajo e Apelit pasi që sipas vendimeve nuk ishin gjetur elemente të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.

Prokurori i Prokurorisë së Gjilanit, Arben Ismajli, në një intervistë për KALLXO.com ka treguar se kishte kërkuar mbrojtjen e ligjshmërisë në Gjykatën Supreme në lidhje me vendimet e Gjykatës Themelore dhe asaj të Apelit.

 

“Në kuadër të kompetencave ne kemi bërë iniciativën për kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë dhe i jemi drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, e më pas kryeprokurori ka bërë kërkesë në Gjykatën Supreme. Gjykata Supreme i ka vërtetu pretendimet e Prokurorisë dhe se Prokuroria ka pasur të drejtë dhe ka konstatuar se Prokuroria ka siguruar prova të mjaftueshme dhe gjykata e shkallës së parë dhe e dytë e kanë shkelë ligjin në favor të të akuzuarve”, tha Ismajli.

“Gjykata Supreme ka thënë që shkalla e parë dhe e dyta gabimisht i kanë vërtetuar faktet sepse në bazë të provave që ka disponu prokuroria në aktakuzë kanë qenë të mjaftueshme që të njëjtit të shpallen fajtor”, tha tutje Ismajli.

Prokurori Ismajli tha se institucionet duhet të rregullojnë vendimet nëse zyrtarët që kanë aktakuza të kthehen prapë në punë dhe pozitat e tyre që kanë pasur.

“Nuk besoj që sot gjykatat mund të bëjnë gabime për atë është edhe shkallshmëria. Nëse ne jemi të pakënaqur nga shkalla e parë drejtohemi në Gjykatë të Apelit. Ne kemi të drejtë që të paraqesim edhe kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë përmes Kryeprokurorit të Shtetit”, shtoi tutje Ismajli.

Më shumë se 15 persona, disa nga ta zyrtarë të Ministrisë së Bujqësisë, janë arrestuar javën e kaluar nën dyshimin se kanë keqpërdorur detyrën zyrtare dhe kanë marrë ryshfet e disa bujq u arrestuar nën dyshimin se kanë dhënë ryshfet për të mundësuar marrjen e disa subvencioneve nga ana e Ministrisë.

Dosjet hetimore të Policisë e Prokurorisë të transmetuara sonte në emisionin “Kallxo Përnime”, zbardhin skemën e organizimit dhe përfitimit material të zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë nga subvencionet e dhëna.

Në raportin e hetuesisë për Prokurorinë e Prishtinës madje jepen edhe detaje të tjera në lidhje me rastin. Aty zbardhet se si jepen paratë përmes zarfeve dhe se si ndahen ato. Njëri nga raportet thekson se zyrtari Berat Nikaj sipas përgjimeve ishte takuar me drejtorin Luan Statovci dhe se me të dyshohet edhe se i ka ndarë paratë nga 2 mijë deri në 5 mijë euro brenda zyrës, para këto që janë dhënë përmes zarfeve.

E gjitha kishte filluar kur në dhjetor të vitit të kaluar Departamenti i Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit kishte pranuar një informacion se po kërkoheshin para për dhënien e subvencioneve nga ana e zyrtarëve të Ministrisë së Bujqësisë.

Nga ky informacion në janar të këtij viti policia me vendim të Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte nisur të zbatonte edhe masat e fshehta, ato të përgjimit për të zbardhur të gjithë rrjetin.

Kamera përgjuese ishin vendosur edhe brenda Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë brenda Ministrisë dhe nga aty përgjohej çdo lëvizje, sjellje, bisedë e telefonatë e cila më vonë u vërtetua edhe se informacionet e marra në dhjetor ishin të vërteta.

Për 15 ditë, të gjitha bisedat e telefonatat mes zyrtarëve të Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë kishin grumbulluar një mori provash të cilat do rezultonin në fund me arrestimin e disa prej tyre.