Foto: Ilustrim

Njëri nga të arrestuarit për plagosjen dhe tentim grabitjen në Prizren ishte liruar nga paraburgimi këtë vit

Dy persona janë arrestuar mëngjesin e sotëm nga hetuesit policorë në lidhje me tentim grabitjen dhe plagosjen që ka ndodhur të hënën në Prizren.

KALLXO.com mëson se njëri nga të arrestuarit është Leutrim Latifi.

Latifi është i njohur për organet e rendit dhe sundimit të ligjit pasi që është recidivist i veprave penale të grabitjeve në Kosovë.

I njëjti ishte arrestuar ndërsa Gjykata Themelore në Prishtinë kishte ndërprerë paraburgimin e të njëjtit kurse Gjykata e Apelit kishte kërkuar ri- arrestimin e Latifit së bashku me dy persona të tjerë.

Kush është Leutrim Latifi?

Një numër i madh i grabitjeve të armatosura kanë ndodhur në fund të vitit 2018 dhe në fillim të vitit 2019. Të maskuar e nën kërcënim të armëve persona të dyshuar grabisnin e tentonin të grabisnin markete e banka të ndryshme.

Më 16 tetor të vitit 2018, Policia e Kosovës përmes një komunikate kishte njoftuar se ishte në kërkim të tre personave të cilët dyshohet të jenë të përfshirë në rastet e grabitjeve që kishin ndodhur atë kohë.

Ndër ta ishte edhe Leutrim Latifi së bashku me Kastriot Shalën.

Latifi së bashku me Kastriot Shalën, pasi ishin shpallur në kërkim, ishin tallur me Policinë në disa postime në rrjetin social Facebook.

Më 3 janar të vitit 2019 deri sa kishte ndodhur një grabitje në marketin “Meridian” në lagjen Dardania në Prishtinë, Kastriot Shala e Leutrim Latifi ishin shfaqur në shoqëri të njëri-tjetrit, me një fotografi në rrjetin social “Facebook”.

Postimin e tyre ata e kanë shoqëruar me mbishkrimin ‘E sa njeri ka ba turr, e u hi nër tavolinë si [qen]”.

Leutrim Latifi konsiderohet person me rrezikshmëri të lartë ndërsa ishte arrestuar nga autoritetet malazeze në maj të vitit 2019 ndërsa ishte ekstraduar në Kosovë më pas për tu përballur me sistemin e drejtësisë në lidhje me veprat penale të cilat dyshohej se i kishte kryer i njëjti.

Në atë kohë, Leutrim Latifi me dy persona të tjerë, dyshoheshin për një numër të grabitjeve në territorin e Republikës së Kosovës.

Në shtator të vitit të kaluar, KALLXO.com kishte pranuar informacione se të njëjtit ishin liruar nga paraburgimi pas arrestimeve në lidhje me grabitjet të cilat dyshohet se i kishin kryer të tre të lartë përmendurit.

Gati një muaj pasi ishin liruar nga Gjykata e shkallës së pare në Prishtinë, Gjykata e Apelit kishte njoftuar vitin e kaluar se ka caktuar masën 30 ditëshe të paraburgimit ndaj Leutrim Latifit, Kastriot Shalës e një personi tjetër nën dyshimin për disa vepra penale si grabitje, moslajmërim të veprave penale apo kryesve të tyre, dhënie e ndihmës kryerësve pas kryerjes së veprës penale, armëmbajtje pa leje dhe zjarrvënie.

Apeli e caktoi masën e paraburgimit pasi e ndryshoi vendimin e gjykatësit Naser Foniqi të 18 shtatorit të vitit të kaluar me të cilin tre të akuzuarit i kishte liruar nga paraburgimi dhe i kishte caktuar masën e paraqitjes në stacionin policor për 2 muaj.

Të njëjtit më pas ishin dërguar në Burgun e Dyzit, pasi që konsideroheshin persona të rrezikshmërisë së lartë.