Njëri nga të arrestuarit e sotëm për përgatitje të veprave terroriste ishte liruar nga Apeli 3 vite më parë
Ardian Gjuraj është njëri nga të arrestuarit në aksionin e sotëm të Drejtorisë Kundër Terrorizmit të Policisë dhe Prokurorisë Speciale të Kosovës.
KALLXO.com mëson nga burime brenda Prokurorisë se i njëjti është njëri nga pesë të dyshuarit i cili dyshohet se po planifikonte sulme terroriste në Kosovë.
Gjuraj ishte liruar nga akuza nga Gjykata e Apelit në vitin 2018, pra tre vite më parë.
Ai edhe atë kohë dyshohej si dhe akuzohej për vepra penale që lidhen me terrorizëm.
Në atë kohë Gjykata e shkallës së dytë pas shqyrtimit të ankesave të mbrojtësit të të akuzuarit, avokati Ali Beka, si dhe Prokurorisë Speciale ka vendosur që ta ndryshoj aktgjykimin e Gjykatës së shkallës së parë e cila Gjurajn e kishe gjetur fajtor dhe e kishte dënuar me një vit e pesë muaj burgim nën akuzën se kishte kryer vepra penale që lidhen me terrorizëm.
Sipas aktakuzës në atë kohë, Ardian Gjuraj gjatë viteve 2014-2015 duke jetuar në Gjermani është bërë përkrahës i ideologjisë së organizatës terroriste- ekstremiste ISIS.
Babai i tij, Kujtim Qerkini, e kishte paraqitur në polici Gjurajn, ndërsa Policia e Gjermanisë e kishte deportuar atë në Kosovë më 18 prill 2015.
Por, gjithnjë sipas aktakuzës, në dhjetor të 2015-ës Gjuraj kishte udhëtuar me grupin e organizatës “Liza-R” drejt Turqisë. Në këtë shtet ai ishte ndarë nga grupi, ndërsa kishte vazhduar rrugën drejt Sirisë, ku u ishte bashkuar grupit të kosovarëve pjesëtarë të ISIS-it.
Në aktakuzë thuhej se Gjuraj ishte arrestuar nga autoritete turke më 25 shkurt 2016, pasi kishte kaluar ilegalisht kufirin Siri-Turqi, duke u futur në territorin e shtetit turk.
Aktakuza sqaron se autoriteteve turke që e arrestuan Gjuraj u ishte paraqitur si shtetas i Rusisë me emrin Ashab Arsayev, ndërsa më 5 shtator 2016 ishte deportuar në Kosovë.
Gjuraj nga Prokuroria akuzohej për veprën penale bashkimi apo pjesëmarrja në ushtrinë ose policinë e huaj, në formacionet e jashtme paraushtarake ose parapolicore, në organizimet grupore apo individualisht jashtë territorit të Republikës së Kosovës.
Detaje: Grupi radikal islamik planifikonte sulme terroriste në Kosovë
www.kallxo.com