Njëri gjeodet dënohet, tjetri lirohet nga akuza se kanë ndarë pronën në mënyrë të kundërligjshme

Gjykata e Prizrenit sot shpalli aktgjykimin në rastin e Bajram Selamanit dhe Luljeta Rizanaj, dy gjeodetëve të komunës së Prizrenit.

Trupi gjykues i përbërë nga kryetarja Teuta Krusha, bashkë me anëtarët Nazim Vllaçko dhe Raima Elezi dhanë verdiktin e këtij rasti.

I akuzuari Selmani është dënuar me tetë muaj burgim efektiv. Përveç dënimit kryesor, gjykata Selmanit i ka shqiptuar dënimin plotësues, ndalimin e ushtrimit të profesionit për një vit.

Kurse, e akuzuara e dytë Luljeta Rizanaj u lirua nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Po ashtu, Bajram Selmani është i obliguar që në emër të paushallit të paguajë shumën prej 200 eurove, dhe 50 eurove në emër të kompensimit të viktimave.

Sipas Prokurorisë, Bajram Selmani, gjeodet, po akuzohet se ka shfrytëzuar detyrën apo autoritetit e tij me qëllim që të përfitojë çfarëdo dobie për vëllezërit Gjon dhe Mihill Gjevlekaj, duke shkelur të drejtat e personit tjetër, të dëmtuarit Gjek Gjevlekaj.

Një gjë të tillë, sipas aktakuzës, Selmani e ka bërë në atë mënyrë që në cilësi të gjeodetit të licencuar ka bërë ndarjen e parcelave ZK-Karashëngjergj pa lejen, dokumentin dhe kërkesën e njërit bashkëpronar Gjek Gjevlekaj, me ç‘rast parashtron kërkesën dhe realizon regjistrimin me ndryshime të pronës në Kadastral-Map në kundërshtim me rregullativën ligjore.

Për të akuzuarën Luljeta Rizanaj, në aktakuzë thuhet se më 12 shkurt 2018, në cilësinë e personit zyrtar, me qëllim shkel të drejtat e personit tjetër Gjek Gjevlekaj, duke vepruar në kundërshtim me rregullat ligjore.

Tutje, në aktakuzë thuhet se e pandehura Rizanaj si gjeodete, bën regjistrimin me ndryshime të pronës së bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj në Kadastral-Map, në kundërshtim me rregullat ligjore.

Sipas aktakuzës, lënda edhe pse nuk ishte e kompletuar, pasi që mungonte dokumenti i identifikimit, kërkesa dhe i autorizuari i bashkëpronarit Gjek Gjevlekaj, pa pëlqimin e tij e pandehura Luljeta Rizanaj bënë ndarjen e parcelave me aktvendimin me 12 shkurt 2018.

Me këto veprime, sipas aktakuzës nga Prokuroria të pandehurit Bajram Selmani dhe Luljeta Rizanaj kanë kryer veprën penale keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit.