Njëmbëdhjetë vende të NATO-s premtojnë më shumë armatim për Ukrainën

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskiy ka deklaruar se qeveria e tij po pret “vendime të forta” nga udhëheqësit e mbrojtjes të NATO-s dhe vendeve të tjera të cilët do të takohen të premten për ta diskutuar rritjen e aftësisë së Ukrainës për t’u përballur me forcat ruse me tanke moderne luftarake.

Një grup prej 11 vendeve anëtare të NATO-s kanë premtuar një sërë ndihmash të reja ushtarake për Ukrainën, përpara një takimi të vështirë mbi armët për Kievin në Gjermani të premten. Sipas një deklarate, ndihma nga vendet duke përfshirë Britaninë, Estoninë, Letoninë dhe Poloninë do të përfshijë dhjetëra sisteme të mbrojtjes ajrore, armë kundërajrore S-60, mitralozë dhe stërvitje.

SHBA ka njoftuar 2.5 miliardë dollarë armatime dhe municione të reja për Ukrainën. Sipas një deklarate të Pentagonit, paketa përfshin 90 transportues personeli të blinduar Stryker, 59 automjete të tjera luftarake të këmbësorisë Bradley, sisteme të mbrojtjes ajrore Avenger dhe municione të mëdha dhe të vogla.

Drejtori i CIA-s, William Burns kohëve të fundit ka udhëtuar në fshehtësi në kryeqytetin e Ukrainës për ta takuar Presidentin Volodymyr Zelenskiy, ka deklaruar një zyrtar amerikan për Reuters të enjten. “Drejtori Burns udhëtoi për në Kiev, ku u takua me homologët e inteligjencës ukrainase si dhe presidentin Zelenskiy dhe e përforcoi mbështetjen tonë të vazhdueshme për Ukrainën dhe mbrojtjen e saj kundër agresionit rus”, ka deklaruar zyrtari amerikan, i cili nuk pranoi të identifikohej ose të thoshte se kur u zhvillua vizita. 

Britania planifikon të dërgojë 600 raketa Brimstone në Ukrainë për ta mbështetur Ukrainën në luftën e tij kundër Rusisë, njoftoi ministri i mbrojtjes Ben ëallace. Duke folur në një takim me ministra të tjerë të mbrojtjes në bazën ushtarake Tapa në Estoni, ëallace e përshkroi një paketë të paralajmëruar më parë të mbështetjes ushtarake për Ukrainën, duke përfshirë dërgimin e tankeve Challenger”.

Qeveria e Suedisë njoftoi për një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën që do të përfshijë automjete të blinduara luftarake të këmbësorisë dhe sistemin e artilerisë Archer. Polonia tha se do të dërgojë armë kundërajrore S-60 me 70,000 fishekë dhe është gati të dhurojë një kompani tanksesh Leopard 2 të prodhimit gjerman, “në pritje të një koalicioni më të gjerë” të donatorëve të Leopardit.

Ministri i Mbrojtjes i Lituanisë, Arvydas Anušauskas, ka thënë se disa vende do ta bëjnë të ditur njoftimin e tyre  lidhur me dërgimin e tankseve Leopard 2 në Ukrainë në takimin e të premtes së ministrave të mbrojtjes në bazën ajrore Ramstein në Gjermani. Numri i përgjithshëm i automjeteve të blinduara të premtuara në takimin e nesërm do të shkojë në qindra, tha Anušauskas për Reuters.

Ministri i Mbrojtjes i Estonisë, Hanno Pevkur, njoftoi se vendi i tij do të dërgojë pajisje ushtarake në Ukrainë me vlerë 113 milionë euro në paketën e fundit të mbështetjes për Ukrainën.

Danimarka njoftoi se do t’i dhurojë Kievit 19 sisteme artilerie “Caesar” të prodhimit francez.

Ministrat e mbrojtjes të SHBA-së dhe Gjermanisë u takuan të enjten pasi Berlini përballet me presion për ta lejuar transferimin e tankseve Leopard të prodhimit gjerman në Ukrainë. Takimi midis Lloyd Austin dhe Boris Pistorius erdhi pasi një burim i qeverisë gjermane i tha Reuters se Berlini do t’i lejojë që tankset Leopard të dërgoheshin në Ukrainë për të ndihmuar mbrojtjen e saj kundër Rusisë nëse SHBA-ja pranon t’i dërgojë tanket e veta. Por zyrtarët amerikanë kanë këmbëngulur publikisht dhe privatisht se Uashingtoni nuk ka plane të dërgojë tanke të prodhuara nga SHBA në Ukrainë për momentin, duke argumentuar se ato do të ishin shumë të vështira për Kievin për t’i mbajtur dhe do të kërkonin një përpjekje të madhe logjistike.

Një zëdhënës i qeverisë gjermane ka thënë se nuk ka marrë ende një kërkesë nga ndonjë vend për leje për të rieksportuar tankse të prodhimit gjerman në Ukrainë. Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, ka sinjalizuar se mund të dërgojë tanke Leopard 2 në Ukrainë si pjesë e një koalicioni më të gjerë edhe pa miratimin e Gjermanisë. “Pëlqimi është i një rëndësie dytësore këtu, ne ose do ta marrim këtë pëlqim shpejt, ose do të bëjmë atë që nevojitet vetë”, tha Morawiecki.

Kremlini zyrtar ka thënë se Rusia do t’i arrijë qëllimet e saj në Ukrainë “në një mënyrë apo tjetër” dhe sa më shpejt që Kievi t’i pranojë kërkesat e saj, aq më shpejt do të përfundojë konflikti. Tutje, Kremlini zyrtar ka shtuar vazhdimisht se Rusia është e gatshme t’i ndalojë operacionet ushtarake nëse Ukraina i përmbush kërkesat e saj, por Moska nuk ka paraqitur publikisht detaje të pozicionit të saj negociues ose çfarë kërkon nga Kievi për t’i dhënë fund armiqësive.

Shefi i mbikëqyrësit bërthamor të OKB-së, Rafael Grossi, thotë se ai shqetësohet se bota po bëhet e vetëkënaqur për rreziqet që paraqet centrali bërthamor i Zaporizhzhia, i kontrolluar nga Rusia. Grossi, duke folur me gazetarët në Kiev, tha se një aksident bërthamor mund të ndodhë çdo ditë dhe përsëriti se situata në termocentral ishte shumë e pasigurt.

Moldavia ka kërkuar sisteme të mbrojtjes ajrore nga aleatët e saj me qëllim të forcimit të aftësive të saj ndërkohë që lufta në Ukrainën fqinje vazhdon, tha presidentja e saj, Maia Sandu. Shefi i spiunazhit të Moldavisë, Alexandru Musteata, paralajmëroi muajin e kaluar për një rrezik “shumë të lartë” të një ofensive të re ruse në lindje të vendit të tij dhe tha se Moska zyrtare ende synon të sigurojë një korridor tokësor përmes Ukrainës në rajonin e shkëputur moldav të Transnistria.

Një gjykatë suedeze i ka dënuar me burg dy vëllezër për spiunim për Rusinë dhe shërbimin e saj të inteligjencës ushtarake GRU për një dekadë. Peyman Kia, 42 vjeç, me origjinë iraniane, u dënua me burgim të përjetshëm, ndërsa vëllai i tij më i vogël, Payam Kia, u dënua me nëntë vjet e 10 muaj./The Guardian

Përgatiti: Nuhi Shala