Një zyrtar i qeverisë së Serbisë vdes nga COVID-19

Një pjesëtar i Qeverisë serbe ka vdekur pasi është prekur nga coronavirusi i ri.

Branisllav Bllazhiq, ka qenë sekretar shtetëror në Ministrinë e Ambientit. Ai është zyrtari i parë serb që ka vdekur nga kjo sëmundje.

Politikani i krahut të djathtë, Bllazhiq ka qenë edhe bashkëthemelues i Partisë Progresive.

Ai ka shërbyer si ministër i Ambientit në fund të viteve 1990 dhe i është kthyer sërish politikës në vitet e fundit, së fundmi si sekretar shtetëror.

Ky lajm vjen në kohën e rritjes së numrit të të infektuarve në këtë shtet.

Serbia ka raportuar për 1,060 raste me coronavirus dhe pothuajse 30 vdekje deri më tani.

Në këtë shtet është duke u zbatuar edhe masa e gjendjes së jashtëzakonshme. /REL