Foto kortezi e Andriy Tsaplienko

Një vit luftë në Ukrainë - Gazetarët përballen me traumën e raportimit të mizorive

Disa nga gazetarët ukrainas që raportuan për masakra brutale ose u plagosën në vijën e frontit ndërsa mbulonin pushtimin rus të vendit të tyre gjatë vitit të kaluar, kanë pësuar trauma psikologjike si rezultat i kësaj.

Ka kaluar gati një vit që kur Andriy Tsaplienko, një reporter i televizionit ukrainas 1+1, pësoi një lëndim në këmbë gjatë xhirimeve në qytetin e Chernihiv, jo shumë kohë pas fillimit të pushtimit të plotë të Rusisë më 24 shkurt 2022.

Tsaplienko ishte tashmë një reporter lufte me përvojë. Për më shumë se dy dekada ai kishte mbuluar konflikte në vende si Sierra Leone, Afganistan, Irak dhe Maqedoninë e Veriut. Por aneksimi i Krimesë nga Rusia në vitin 2014 dhe marrja e pjesëve të rajonit të Donbasit nga separatistët e ktheu atë në vendin e tij.

Por për gazetarin 54-vjeçar fitues të shumë çmimeve të ndryshme, mbulimi i një lufte që po ndodhte në vendin e tij ishte ndryshe. Pasi u plagos në mars, iu desh t’i nënshtrohej tre operacioneve dhe t’i vendosej një protezë.

“Ajo që kuptova, nga përvoja ime, është se çdo lloj plage lufte nuk kalon lehtë pa pasoja, fizikisht, emocionalisht”, tha Tsaplienko për BIRN.

“Mendova se trauma ime nuk ishte shumë serioze. Por ishte një iluzion”, shtoi ai, duke psherëtirë thellë.

Tsaplienko është një nga gazetarët që mbuloi vrasjet masive të civilëve dhe ushtarëve ukrainas në qytetin Bucha vitin e kaluar. Pasi forcat ruse u tërhoqën nga zona në prill, aty u gjetën qindra trupa, duke përfshirë ato të disa fëmijëve. Shumë besohet se janë rreshtuar dhe ekzekutuar.

“Kur shkova në Bucha dhe filmova masakrën dhe mizoritë, nuk pata shumë kohë të mendohesha. Njerëzit duhet të kenë informacion më të shpejtë, nga minuta në minutë”, tha ai.

Trauma e tij nuk është vetëm fizike, por edhe psikologjike: “Është një lloj stresi post-traumatik. Ndonjëherë shkoj në klinikë dhe takoj ushtarë, miq. Është një lloj psikoterapie e zakonshme. Por përsëri është e vështirë. Është diçka që të vret brenda.”

Ndarja nga familja është diçka tjetër që i shkakton stres. “E dërgova familjen time në Poloni. Por edhe djali im 16-vjeçar kishte ankth. Ai donte të vinte këtu dhe të luftonte”, shpjegoi ai.

“Presioni ndaj gazetarëve është shtuar”

Andriy Tsaplienko në një detyrë për televizionin 1+1. Foto kortezi e Andriy Tsaplienko.

Ashtu si Tsaplienko, shumë gazetarë ukrainas kanë pësuar trauma psikologjike si rezultat i raportimit nga fusha e betejës ose i të qenit dëshmitarë të skenave të vrasjeve masive, të plagosjeve, të humbjes së të afërmve ose të ndalimit nga forcat ruse.

Jo Healey, themelues dhe drejtor i OJQ-së me bazë në Mbretërinë e Bashkuar Trauma Reporting, e cila kohët e fundit ka trajnuar gazetarët ukrainas për mbulimin e traumave dhe shqetësimeve, theksoi se gazetarët që janë të ekspozuar ndaj situatave të tmerrshme dhe duhet të raportojnë për njerëzit e prekur gjithashtu mund të vuajnë si rezultat i kësaj.

“Mbi gazetarët është rritur presioni për të mbuluar traumat dhe shqetësimet e njerëzve dhe për të ofruar përmbajtje emocionale”, tha Healey.

“Është vërtet e rëndësishme që gazetarët të mësohen të jenë më të vetëdijshëm për traumat në çdo fazë të procesit të raportimit. Kjo i lejon ata të bëjnë punën e tyre, ta bëjnë atë mirë dhe shpresojmë që të mos dëmtojnë viktimat dhe të mbijetuarit apo veten e tyre”, shtoi ajo.

Unioni Kombëtar i Gazetarëve të Ukrainës është përpjekur të garantojë që gazetarët të kenë më shumë ndihmë dhe mbështetje.

“Shëndeti mendor është bërë një çështje shumë serioze. Ka ankth, çrregullime të gjumit, mendime negative dhe frikë”, tha për BIRN Lina Kushch, sekretarja e përgjithshme e sindikatës.

Ajo tha se një nga zyrtarët e sindikatës madje u përball me probleme psikologjike kur forcat ruse pushtuan qytetin e Mariupolit pas një rrethimi të gjatë dhe të përgjakshëm. “Kur u përfshimë në evakuimin e gazetarëve nga Mariupoli, ishte një përshtypje e tmerrshme dhe një koleg nuk mund ta vazhdonte këtë punë”, tha Kushch.

Sindikata ka nisur një program që ofron mbështetje psikologjike dhe ka krijuar linjën e parë telefonike 24 orëshe të shëndetit në Ukrainë për profesionistët e medias.

“Sfida kryesore është të bindim kolegët tanë që të na telefonojnë sepse ukrainasit nuk e kanë zakon që të konsultohen me një psikolog. Dhe gazetarët nuk bëjnë përjashtim”, shpjegoi Kushch.

“Lodhje dhe zemërim”

Fotoreporteri Andriy Dubchak. Foto kortezi e Andriy Dubchak.

Andriy Dubchak, një fotoreporter, korrespondent dhe drejtues projekti në median e pavarur Donbas Frontliner, ka kapur shumë imazhe tronditëse të luftës në Ukrainë.

Por edhe pse fotografitë dhe videot e tij kanë tërhequr shumë vëmendje, ai nuk mendon se puna e tij ka qenë e suksesshme. Në vend të kësaj, ajo që ai ndjen është “lodhje dhe zemërim”.

Ashtu si shumë gazetarë të tjerë ukrainas, Dubchak mendon se ka zhvilluar një formë të stresit post-traumatik. “Flas me shumë nga kolegët e mi dhe shumë prej tyre takojnë psikologë”, tha ai.

Dubchak po mbulonte luftimet dhe evakuimin e civilëve në qytetin Bakhmut në nëntor.

“Momenti më i vështirë ndoshta ishte kur pashë një shpërthim që vrau një familje të tërë”, tha ai për BIRN.

Ndërsa ishte në Bakhmut, ai u plagos. Ai dëgjoi shpërthime dhe copa t’i fluturonin sipër, por nuk mund të shihte asgjë.

“Diçka më goditi këmbën. Nuk e ndjeva fare. Por më pas kuptova se më theu këmbën”, kujton ai. “Nuk e mbaj mend, ndoshta ishte një pjesë e gurëve të varrit sepse ishte një varrezë.”

“Ndoshta do të mbetemi gjallë”

Ricardo Gutierrez, sekretari i përgjithshëm i Federatës Evropiane të Gazetarëve tha se Ukraina vitin e kaluar ishte vendi më vdekjeprurës për gazetarët dhe lufta ka prekur të gjitha aspektet e jetës së gazetarëve.

“Situata në Ukrainë po prek psikologjikisht shumë gazetarë që vazhdojnë të operojnë në Ukrainë dhe shumë prej tyre po vuajnë pasoja psikologjike”, tha Gutierrez për BIRN.

Ai tha se dezinformimi rus dhe presioni për t’iu përshtatur rregullave të vendosura ndaj mediave nga autoritetet ukrainase sipas ligjit ushtarak gjithashtu “e bën shumë të vështirë punën e gazetarëve”.

Federata Evropiane e Gazetarëve ka ndihmuar në krijimin e gjashtë Qendrave të Solidaritetit të Gazetarëve në të gjithë Ukrainën dhe t’u sigurojë njerëzve qasje në mbështetje psikologjike, si dhe pajisje mbrojtëse dhe trajnime për sigurinë, shtoi ai.

Olena Pankratova, një psikologe e cila ka këshilluar gazetarët në Ukrainë, shpjegoi se njerëzit që raportojnë nga zonat e konfliktit e kanë të vështirë të përballen me emocionet që dalin në sipërfaqe kur dëshmojnë mizori.

“Gazetarët vëzhgojnë vazhdimisht vuajtje dhe dhimbje njerëzore”, shtoi ajo. “Kjo mund të çojë në stres, depresion dhe çrregullime ankthi.”

Tsaplienko tha se humbja e miqve të ngushtë ishte veçanërisht e vështirë për t’u përballuar. “Njëri prej tyre ishte një muzikant dhe poet shumë i njohur në Ukrainë. Ai shkoi në qytetin e tij të Izium ditë pasi u çlirua (në shtator) dhe vdiq nga një minë tokësore tre muaj më parë”, tha ai.

“Sa herë që ulem në makinë, vë këngët e tij. Nuk ndaloj dot së qari”, vazhdoi ai, me zërin e tij që i venitej në një pëshpëritje ndërsa filloi të lotonte. “Unë di përmendësh çdo fjalë, çdo ton të zërit të tij”, psherëtiu ai.

Tsaplienko tha se ai u përball gjithashtu me dilema etike verën e kaluar kur po punonte për një dokumentar rreth Grupit Wagner, toga ushtarake private që siguron luftëtarë mercenarë për luftën ruse.

“Kam intervistuar një mercenar të kapur nga forcat ukrainase. Ai nuk ishte penduar për atë që po bënte. E kisha shumë të vështirë ta dëgjoja dhe të vazhdoja të bëja punën time”, kujton ai.

Dubchak tha se ai ndihet i përhumbur duke ecur nëpër rrugët e zbrazëta të zonave të konfliktit dhe duke parë trupat e vdekur të lënë pas nga luftimet. “Pas kësaj, nuk mund të fle për shumë net”, tha ai.

Megjithatë, shtoi ai, ai ndjen se duhet të ndihmojë të plagosurit ose të lëvizë trupat e viktimave. “Në një situatë të tillë, nuk mundesh thjesht të filmosh”, tha ai.

Ai është gjithashtu i vetëdijshëm se lufta është larg përfundimit. “Me siguri periudha më e tmerrshme është përpara nesh dhe ndoshta do të mbetemi gjallë.”/ balkaninsight.