Gjykata Themelore në Prishtinë - Foto: KALLXO.com

Një vit burgim me kusht ndaj të akuzuarit për substanca narkotike

Gjykata e Prishtinës, sot ka bërë shpalljen e aktgjykimit dënues ndaj të akuzuarit F.G. i cili sipas Prokurorisë, akuzohej për veprën penale blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

Gjykata të akuzuarin e dënoi dhe e shpalli fajtor, me dënimin me burgim me kusht në kohëzgjatje prej 1 viti në periudhë verifikuese prej 2 viteve, si dhe Gjykata ndaj të akuzuarit pos dënimit me kusht i shqiptoi edhe dënimin me gjobë në shumën prej 500 eurove.

Të akuzuarit do t’i konfiskohet edhe sasia e substancave narkotike.

Prokuroria bashkë me të akuzuarin F.G, në procedurë të veçuar akuzon edhe N.G.

Të akuzuarin N.G., Gjykata e Prishtinës me 22 shkurt 2018 e kishte shpallur fajtor për posedim të 1,298.5 gramëve të marihuanës.

N.G ishte dënuar me dy vjet burgim me kusht, dënim i cili nuk ekzekutohet nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër penale brenda 2 viteve.

Pos dënimit me kusht, N.G. ishte dënuar edhe me 800 euro gjobë.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë, me datë 16 mars 2017 në hyrje të QKUK-së, pjesëtarët e Policisë, kanë ndaluar veturën të cilën e drejtonte i akuzuari F.G., ku gjatë kontrollit të njëjtit i ishte gjetur një qese me narkotikë e llojit marihuanë në peshë prej 1.2 gram.

Kurse sipas Prokurorisë, tek i akuzuari N.G. i cili ishte në të njëjtën veturë si pasagjer me F.G., gjatë kontrollit i ishte gjetur një qese me narkotikë e llojit marihuanë në peshë prej 4.1 gram, ndërsa në veturë nën ulësen e vozitësit është gjetur edhe një qese me marihuanë me peshë 55.6 gram.

Pas kësaj, në aktakuzë ceket se, pjesëtarët e Policisë kanë bërë edhe bastisjen e shtëpisë së të akuzuarit N.G. në Hajvali ku gjatë kontrollit në tavanin e shtëpisë kishin gjetur edhe 1298.5 gram narkotikë, të cilat ia kishte dhënë i akuzuari F.G. që t’i mbajë, e të cilën e kishin poseduar pa autorizim me qëllim të shitjes apo shpërndarjes, në peshë të përgjithshme prej 1,359.4 gram.

Kështu, nga ekzaminimi i mostrave të marra nga sasia e lartcekur e narkotikëve ka treguar se është prezent kanabisi (marihuana) – thuhet në aktakuzë.

Me këtë sipas Prokurorisë të akuzuarit në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale, blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.