Një veturë në pistë derisa aeroplani po ngritej, po hetohet incidenti në Aeroportin e Prishtinës

Bordi Zviceran i Hetimit të Sigurisë dhe Transportit ka publikuar një dokument sipas të cilit një incident serioz ka ndodhur në Aeroportin e Prishtinës më 20.06.2024.

Në këtë dokument, thuhet se derisa një aeroplan i linjës Prishtinë-Gjenevë ishte duke u ngritur nga pista e Aeroportit të Prishtinës, në të njëjtën kohë në pistë ishte duke qëndruar një veturë që i përkiste Aeroportit të Prishtinës, në skajin lindor të pistës.

Sipas dokumentit, aeroplani ka arritur të fluturojë dhe të shmangë ndonjë përplasje me veturën.

“Pas ngritjes, aeroplani kishte kaluar mbi veturën në një lartësi të mjaftueshme. Ekuipazhi i fluturimit deklaroi se kishte fluturuar mbi veturë me rrotat e aropolanit ende të lëshuara” – thuhet në këtë dokument.

Në këtë dokument potencohet po ashtu se Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike të Kosovës (KHAIA) ka nisur një hetim në lidhje me këtë rast.

Incidentin për KALLXO.com e ka konfirmuar Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike të Kosovës (KHAIA), të cilët kanë thënë se janë në fazën e hetimeve dhe për momentin nuk mund të japin informacione të tjera.

“Mund të konfirmojmë se me 11.07.2024 kemi marrë vendim për inicim të hetimeve për incidentin e datës 20.06.2024 dhe bazuar në legjislacionin në fuqi, janë njoftuar edhe autoritetet zvicerane. KHAIA në këtë moment është në fazën e mbledhjes së informacioneve zyrtare dhe për shkak të ndjeshmërisë së rastit nuk mund të japim informacionet tjera” – kanë thënë nga KHAIA në përgjigjen me shkrim për KALLXO.com më 16.08.2024.

Sipas tyre, pas përfundimit të hetimeve, do të hartohet një raport final në lidhje me incidentin, i cilë raport më pas do t’i dërgohet Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Komisioni për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike është i themeluar në bazë të Ligjit për Aviacionin Civil dhe ka për kompetencë hetimin e aksidenteve dhe incidenteve aronautike në territorin e Kosovës apo kudo në botë, për fluturaket që janë të regjistruara në vendin tonë.

KALLXO.com ka kontaktuar edhe me zëdhënësen e Aeroportit të Prishtinës, Valentina Gara, në lidhje me këtë incident të raportuar që ka ndodhur më 20.06.2024 por e njëjta deri në publikimin e këtij shkrimi nuk është përgjigjur.

Njoftimin e Bordit Zviceran të Hetimit të Sigurisë dhe Transportit mund ta gjeni në këtë LINK.