Foto: KALLXO.com
Një ton drogë e sekuestruar në Pejë - Çka thuhet në dosjen e Prokurorisë për të dyshuarin nga Shqipëria?
Prokuroria e Pejës ka kërkuar 30 ditë për Aleks Gerbin, 49-vjeçarin nga Memaliaj – Tepelenë, i cili u arrestua më 27.09.2024 në rajonin e Pejës gjatë një aksioni në të cilin u sekuestruan një ton drogë.
Shtetasi i Shqipërisë u arrestua në vendin ku u shkatërruan 2,850 bimë narkotike të llojit kanabis sativa e po ashtu u sekuestrua një sasi e madhe e marihuanës së gatshme për të dalë në treg.
Ne kërkesën e paraburgimit të siguruar nga KALLXO.com, të cilën e ka hartuar prokurori i Prokurorisë së Pejës, Ersan Çavolli, Aleks Gerbi dyshohet për dy vepra penale.
Për “kultivim të bimës së hashashit, shkurres së kokainës ose bimë të kanabisit” dhe për veprën “blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve”.
Sipas Prokurorisë së Pejës, i njëjti dyshohet se në kohë të panjohur e në vazhdimësi deri me datën 27.09.2024 në fshatrat Kliqinë dhe Sverkë të Komunës së Pejës, me qëllim të prodhimit të sasisë së madhe të narkotikëve pa autorizim kultivuar bimë të kanabisit.
Në dosje thuhet se në parcelën e parë u mbollën 1,850 bimë narkotikë kanabis sativa, ndërsa në parcelën e dytë u mbollën 1,000 bimë narkotike kanabis sativa, me sasi të përgjithshme 2,850 bimë, me peshë më tepër se një ton dhe me vlerë rreth 5 milionë euro.
Dosja thekson se aty bëhej tërheqja e bimëve dhe tharja e tyre e më pas të njëjtat dërgoheshin në parcelën e tretë ku bëhej prerja e tyre.
Nga këto bimë në parcelën e tretë siguroheshin 133.95 kg narkotikë ndërsa në parcelën e parë edhe rreth 400 kg, me sasi të përgjithshme rreth 500 kg, të cilat ishin në shitje deri me datë 27.09.2024.
Më 27.09.2024, gjatë ekzekutimit të urdhrit të kontrollit janë hetuar nga Policia e Kosovës, të cilët në vendin e ngjarjes kanë gjetur 2,850 bimë narkotike të llojit kanabis sativa.
Një ditë më pas, më 28.09.2024, ndaj të dyshuarit, Aleks Gerbi, është mbajtur seanca për caktimin e masës së sigurisë.