Një rruge rajonale për në Banjskë i vihet emri i heroit Afrim Bunjaku
Qeveria e Kosovës më 23.09.2024 ka marrë vendim për të emërtuar rrugën rajonale R-217, segmenti Ballaban – Banjskë, me emrin e heroit të Kosovës, Afrim Bunjaku.
Nesër shënohet njëvjetori i sulmit terrorist në Banjskë të Zveçanit, ku u vra rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku.
Ky vendim është marrë në mbledhjen elektronike të mbajtur më 23.09.2024.
Në këtë mbledhje janë marrë disa vendime, në mesin e tyre edhe emërimi i Gëzim Pacit si kryesues i bordit të Postës së Kosovës.
Ndërsa Genc Metaj është emëruar në pozitën e drejtorit ekzekutiv në Agjencinë për Menaxhim të Emergjencave.
Po ashtu, Qeveria ka ndarë 219 mijë euro për organizimin e Forumit Ekonomik në Paris dhe promovimin e teknologjisë së informacionit me qëllim të tërheqjes së investimeve në kuadër të kësaj fushe, përmes organizatave lidere gjatë javës së TIK/ICT.
Po ashtu, ka aprovuar Rregulloren për vlerësimin e rezultateve në punë, Rregulloren për procedurat e konkurrimit për nëpunësit teknikë dhe mbështetës, Rregulloren për pezullimin nga marrëdhënia e punës dhe Rregulloren për përfundimin e marrëdhënies së punës në shërbimin civil.