Flamuri i Bashkimit Europian - Foto: REL/Shutterstock

Një rinisje në Ballkanin Perëndimor

Në momentin kur presidenti francez, Emanuel Makron, i dha dritën e kuqe nisjes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë në BE, njëkohësisht ai i dha shkelmin strategjisë kyçe të BE-së për transformimin e  Ballkanit Perëndimor.

Përmes dritës së kuqe, anëtarësimi potencial i këtyre dy shteteve të Ballkanit Perëndimor jo vetëm që u largua edhe më tej por edhe shtetet tjera filluan ti humbin shpresat e tyre për një anëtarësim në BE në të ardhmen, shkruan gazeta britanike “Politico” duke iu referuar një shkrimi nga Florian Bieber, profesor i historisë dhe politikës për Evropën Juglindore në Universitetin e Grazit.

Megjithatë, shton tutje kjo gazetë, krejt kjo nuk do të duhej të merrej si diçka e keqe duke e cituar një thënie të ish kryeministrit britanik Winston Churchill: “nuk duhet lejuar që krizat e këqija të shkojnë kot”

Fakti se anëtarët e BE-së, të tillë sikurse Franca, nuk mund të pajtohen dhe ta mbështesin vendimin e Komisionit Evropian, e cila më herët kishte vlerësuar se Maqedonia Veriore dhe Shqipëria i kanë përmbushur të gjitha kriteret për nisjen e negociatave, në të vërtetë paraqet një krizë në vete, shkruan tutje Politico.

Andaj, kjo nuk do të thotë se BE duhet të heqë dorë nga Ballkani, përkundrazi, këtë krizë aktuale, BE do të duhej ta shihte si një shans për ta rishikuar marrëdhënien e saj me regjionin e Ballkanit.

Pikërisht tani, ky do të ishte momenti i duhur për BE-në që të zhvillojë strategji më të përshtatshme për tu përballur me regjimet autokratike në Ballkan, të cilat aktualisht nuk po e ndiejnë nevojën e as nuk e kanë qëllimin që të heqin dorë nga kontrolli joformal i institucioneve shtetërore, thuhet më tej në artikullin e Politico.

Vitin e kaluar, Komisioni Evropian këtë çështje e kishte identifikuar si njërin prej problemeve megjithatë qasja e saj ndaj këtij problemi kishte qenë tepër ngurrues.

Franca pretendon se dëshiron të përmirësojë mënyrën se si BE-ja i afrohet negociatave të zgjerimit, mirëpo vetë ajo nuk ka ofruar një mënyrë se si do të duhej bërë këtë. Prandaj, tani është koha e duhur që BE të marrë këtë përsipër dhe të zhvillojë një politikë të re të jashtme në raport me rajonin ballkanik, politikë kjo që do të fokusohej vetëm në procesin e pranimit, të paktën edhe me çmimin e një diplomacie të mirë dhe solide.

Qasja e bllokut ndaj Ballkanit Perëndimor mbështetet prej kohësh në parimin se ideja e anëtarësimit në BE ishte shtytja e vetme për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve të hapura.

Sidoqoftë, kjo metodë nuk funksionoi në rastin e Serbisë dhe Kosovës, vlerëson Politico. Dialogu me Brukselin udhëhiqej nga premtimi bazë se normalizimi i marrëdhënieve midis Beogradit dhe Prishtinës do t’i hapte rrugën anëtarësimit në BE. Krahasuar me atëherë, kjo tashmë nuk duket se funksionon, për shkak të dështimeve që kanë të bëjnë me negociatat për ndryshime kufijsh dhe për shkak të pasigurisë se pesë vendet anëtare të BE të cilat nuk e njohin shtetësinë e Kosovës, mund të ndryshojnë mendje një ditë.

Perspektiva e anëtarësimit në BE ishte një stimulim i mjaftueshëm për disa shtete, mirëpo kjo vetëm se e ka shpërqendruar vëmendjen nga problemi i vërtetë. Për një kohë të gjatë, politika e jashtme e BE-së është mbështetur në idenë e anëtarësimit si një lloj kurimi, sesa në idenë e një ndërmjetësimi intensiv.

BE dhe Ballkani Perëndimor tani janë në një pikë kthese dhe duhet ta mendojnë një mënyrë krejtësisht të re për bashkëpunim të mëtejmë. Gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor do të mund të gjejnë fusha politike përmes të cilave do të mund të integrohen në BE pa anëtarësim zyrtar, ndërkohë që BE do të duhej të inkurajojë përpjekje të tilla përmes ekspertizave dhe burimeve të saja në dispozicion, thuhet më tej në gazetën britanike Politico.

Kësisoj, edhe nëse rruga për anëtarësim rezulton të jetë më e gjatë nga sa pritej, shtete e Ballkanit Perëndimor do të kenë mundësinë të afroheshin me BE-në. Edhe pse një gjë e tillë mund të duket e pabesueshme tani, këto shtete mund të bëhen pjesë e zonës Shengen ose Zonës Ekonomike Evropiane. Në fund të fundit, anëtarësimi në BE do të ishte më i shkurtër dhe më i shpejtë, pasi që këto shtete gradualisht do të integroheshin në strukturat e BE.

Pengesa që iu bë Maqedonisë Veriore dhe Shqipërisë do të duhej të kuptohej si një leksion i vlefshëm për reformatorët në këtë rajon të cilët tash e një kohë të gjatë ishin mbështetur në përkrahjen e të huajve. Porosia nga Brukseli tanimë është e qartë – jeni të vetëm në këtë.

Ky fakt mund të jetë i dhimbshëm dhe sigurisht kjo nuk është porosia për të cilën ata kishin shpresuar, megjithatë mund t’i shtyjë ata që kërkojnë të përmirësojnë trajektoren të cilën shtetet e tyre do të duhej ta ndiqnin duke ndërmarrë veprime në vend që të presin për ndihmë nga jashtë e cila, me gjasë, nuk do të vijë tash.

BE duhet ta rimendojë se cila do të jetë mënyra më e mirë që të arrijë qëllimet e saja në rajonin e Ballkanit Perëndimor: një mbështetje reale dhe afatgjate, një transformim politik nga poshtë-lart, e përfundon artikullin e saj gazeta britanike, Politico.

Përgatiti: Nuhi Shala