Një rast pozitiv me COVID-19 është nga Mitrovica me vendbanim në Prishtinë

Qendra Klinike Universitare ka njoftuar se pacienti i pranuar dje në Klinikën Emergjente, është me vendlindje në Mitrovicë ndërsa me vendbanim në Prishtinë.

“Mund të ju konfirmojmë se pacienti e ka vendlindjen në Mitrovicë ndërsa është me vendbanim në Prishtinë”, thuhet në përgjigjen e QKUK-së për KALLXO.com.

Mëngjesin e sotëm, QKUK ka njoftuar se ky pacient është pranuar dje në kuadër të Klinikës Emergjente.

“G.M (1964), nga Mitrovica, i trajtuar fillimisht në Spitalin Amerikan, transferohet në Klinikën Emergjente, probleme me diabet dhe zemër, pas rezultateve rezulton COVID-19 pozitiv. Është transferuar për trajtim të mëtejmë në Klinikën Infektive”, thuhet në njoftimin e QKUK-së.

Edhe Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike pasditen e sotme ka dhënë njoftim se ndër 5 rastet e prekura është edhe një person nga Mitrovica. Më pas ky njoftim është edituar dhe është larguar rasti nga Mitrovica duke u zëvendësuar me vendbanimin e tij në Prishtinë.

Për rastin pozitiv me COVID-19 në Mitrovicë, e ka mohuar edhe kryetari i komunës, Agim Bahtiri.

Kryetari i komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka mohuar informatën e dhënë sot nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik se një qytetar nga kjo komunë është prekur me coronavirus.

KALLXO.com ka kontaktuar Bahtirin në lidhje me një rast që sipas IKPSHK-së një mitrovicas ka rezultuar pozitiv me virus.

Kryetari i komunës së Mitrovicës Agim Bahtiri ka thënë se në këtë komunë deri më tani nuk ka asnjë të infektuar me coronavirus.