Një qytetar sulmohet nga qentë endacakë në Mitrovicë, përfundon në spital

Një qytetar me emrin Lavdim Shosholli ka raportuar në KALLXO.com se mesditën e sotme është sulmuar nga qentë endacakë në qytetin e Mitrovicës.

Si pasojë e sulmit, qytetari ka pësuar lëndime serioze dhe aktualisht është duke marrë ndihmën mjekësore.

“Sapo kam dalë nga një furrë e bukës, më kanë sulmu tre apo katër qenë endacakë. Furra gjendet te Shtëpia e Shëndetit në Mitrovicë. Më kanë kafshu në të dyja këmbët. Aty kishte edhe qytetarë të tjerë që më ndihmun” – ka thënë Shosholli.

Ai ka thënë se i kanë kushtuar rreth 25 euro medikamentet për tu trajtuar nga kafshimi i qenit, ndërsa sipas tij, në atë lagje çdo ditë ka numër të madh të qenve endacakë. Ai ka bërë të ditur se në njërën këmbë është qepur nga mjekët.

Sipas tij, ngjarja ka ndodhur rreth orës 13:30 në lagjen afër Shtëpisë së Shëndetit në Mitrovicë.