Një qytetar gjerman i ka marrë të paktën 87 vaksina kundër COVID-19

Një qytetar gjerman thuhet se ka shkuar në qendrat e mjekimit në Gjermaninë Lindore dhe u vaksinua deri në tri herë brenda një dite. Autoritetet besojnë se kjo ishte e gjitha si pjesë e një skeme për shitjen e kartave të vaksinimit për anti-vaksinuesit.

Personi në fjalë është nën hetim pasi autoritetet zbuluan se ai kishte marrë vaksinën e koronavirusit të paktën 87 herë, raportoi të premten gazeta Freie Presse.

Ky raportim vjen ndërkohë që Gjermania po e lufton një valë infeksionesh COVID-19 dhe po përpiqet t’i rrisë normat e saj të vaksinimit në krahasim me vendet e tjera të Evropës Perëndimore.

Pse ky qytetar është vaksinuar kaq shumë herë?

Sipas informacioneve të marra nga Freie Presse, 61-vjeçari i ka vizituar disa qendra vaksinimi në shtetet lindore të Gjermanisë, Saksoni dhe Saksoni-Anhalt.

Burri besohet se është vaksinuar deri në tri herë në ditë në vende të ndryshme vaksinimesh – duke i regjistruar 87 vaksina kundër koronavirusit vetëm në shtetin e Saksonisë.

Një anëtar i stafit në një qendër në qytetin e Dresdenit ka pasur dyshime kur e ka njohur burrin në fjalë, ka thënë për gazetën zëdhënësi i Kryqit të Kuq të Gjermanisë, Kai Kranich.

Herën tjetër që ai hyri në një qendër vaksinimi në qytetin Eilenburg, jashtë Leipzig, stafi e ka thirrur policinë dhe aipastaj është ndaluar.

Kryqi i Kuq Gjerman ngriti akuza kundër burrit me dyshimin për përfshirjen e tij në shitjen e pasaportave të vaksinimit. Hetimet penale janë duke vazhduar aktualisht në shtetin e Saksonisë, me autoritetet në shtetet e tjera gjermane që po e hetojnë gjithashtu të lartcekurin.

Është e paqartë se sa herë ky qytetar ka marrë në të vërtetë vaksinën e koronavirusit – por kjo shifër pritet të jetë më e lartë se 87 vaksinat për të cilat tashmë dihet.

Si ia ka dalë ta bëjë një jë të tillë për një kohë kaq të gjatë?

Sipas raportit, sa herë që personi në fjalë hynte në një vend vaksinimi, ai sillte me vete një dokument të ri, bosh vaksinimi.

Pasi merrte vaksinën, ai i fshiente faqet me informacionin për numrat e grupit të vaksinave dhe ua shiste anti-vaksinuesëve.

Personi u regjistrua për terminet e vaksinimit duke përdorur emrin dhe datën e tij të lindjes, por nuk e ka paraqitur kartën e tij të sigurimit shëndetësor në termine – gjë që mund t’i kishte vënë në dukje veprimet e tij më shpejt.

Thirrje për vaksinim në Gjermani

Rasti në fjalë e ka shpërfaqur hendekun në sistemin e kujdesit shëndetësor të Gjermanisë – ku informacioni mjekësor kryesisht nuk dixhitalizohet apo ruhet në qendër.

“Një regjistër kombëtar i vaksinave ose një regjistër vaksinash kundër koronavirusit do të kishte hedhur dritë mbi rastin menjëherë,” i tha gazetës Knut Köhler, zëdhënësi i shoqatës mjekësore shtetërore të Saksonisë.

Në Gjermani, mbi 75% e popullsisë së kualifikuar janë plotësisht të vaksinuar, ndërsa rreth 58% kanë marrë një vaksinë përforcuese. Shifrat janë veçanërisht të ulta në shtetet lindore të Gjermanisë, ku shkalla e vaksinimit të plotë qëndron në 64.5% në Saksoni.

Shkalla e vaksinimit të Gjermanisë është shumë prapa fqinjëve të saj të Evropës Perëndimore, me Spanjën që ka 85% të vaksinuar të plotë dhe Portugalinë që raporton një normë prej mbi 91%./DW