Një profesoreshë universitare i bashkohet Vetëvendosjes

Kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, sot e ka prezantuar ardhjen e re në partinë e tij.

Fjala është për profesoreshën universitare, Jehona  Ferizi Miftari.

Kurti ka shkruar se Jehona Miftari është profesoreshë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës, dhe po ashtu është autore e një numri të konsiderueshëm të librave e punimeve shkencore.

Më poshtë mund të shihni njoftimin e plotë të Albin Kurtit:

Jehona Ferizi Miftari anëtarësohet në Lëvizjen tonë. Jehona bartë titullin Doktor Shkence në fushën e Edukimit dhe Mësimdhënies dhe është Profesoreshë në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Ajo është autore e një numri të konsiderueshëm të artikujve, librave, punimeve shkencore e profesionale në vend dhe jashtë tij, pjesëmarrëse në punëtori, seminare dhe konferenca me karakter kombëtar dhe ndërkombëtar. Jehona është çertifikuar për mësimdhënie akademike, në fushën e hulumtimeve arsimore, vlerësim në arsim, zhvillim të kurrikulave nga Universiteti i Erlangenit, në Nurnberg të Gjermanisë, Universiteti Iowa të ShBA-së, Universitetit Roma Tre, Itali, Universiteti i Shkencave të Aplikuara në Jyvaskyla, Finlandë, Universiteti Bedfordshire në Angli, Universiteti i Bolonjes në Itali dhe Universiteti i Lubjanës, Slloveni.

Jehona Ferizi Miftari është e martuar dhe është nënë e tre fëmijëve. Ajo është angazhuar në mënyrë aktive në realizimin e projekteve shkencore në funksion të përmirësimit të cilësisë së procesit të edukimit dhe arsimimit të fëmijëve tanë. Nga sot, ajo angazhohet edhe politikisht në Lëvizjen tonë, për t’i jetësuar ndryshimet që i synojmë. Jehonës i dhuruam mirëseardhje në organizatën tonë bashkë me Gresa Mulin.