Presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune - Foto: AFP

Një profesor universitar emërohet kryeministër i Algjerisë

Presidenti algjerian, Abdelmadjid Tebboune, ka emëruar të shtunën Abdelaziz Djeradin në postin e kryeministrit, ka njoftuar televizioni publik, duke cituar një komunikatë të presidencës.

Djerad, një profesor universitar, doktor i shkencave politike, “është ngarkuar me formimin e qeverisë së re”, thotë i njëjti burim, raporton AFP.

Ai vjen në vend të Sabri Boukadoum, ministër i Punëve të Jashtme, i cili ishte emëruar kryeministër i përkohshëm pas dorëheqjes së Noureddine Bedoui më 19 dhjetor, dita kur Tebboune mori detyrën e presidentit.

Sipas AFP-së, televizioni publik pastaj ka shfaqur pamje të Abdelaziz Djerad, 65-vjeç, i pritur nga presidenti Tebboune.

“Ne duhet të punojmë me të gjithë kuadrot e vendit, qytetaret dhe qytetarët, që të dalim nga kjo fazë e vështirë dhe të përballemi me sfidat ekonomike dhe sociale”, ka deklaruar më pas Djerad.