Një pjesë e lagjes "Kalabria" pa rrymë, KEDS thotë se u dëmtuan disa kabllo nga punëkryesi në "Rrugën A"

Rreth 1 mijë e 400 qytetarë të lagjes “Kalabria” në Prishtinë, që furnizohen nga dalja 10 Kv kanë mbetur pa furnizim me energji elektrike.

Sipas Kompanisë për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS), kjo ka ndodhur si pasojë e dëmtimit të disa kabllove të rrjetit elektrik nëntokësor nga një kontraktor i Komunës së Prishtinës gjatë punimeve në “Rrugën A”.

“KEDS-i ka hapur rast në Policinë e Kosovës dhe së shpejti do të informojë edhe Inspektoratin lidhur me këtë” – thotë KEDS përmes një komunikate për media.

KEDS ka shtuar se gjatë dy javëve të fundit janë dëmtuar disa kabllo nga disa kompani që i ka quajtur të papërgjegjshme.

Prandaj, KEDS-i u ka bërë thirrje kompanive të kontraktuara që të kenë kujdes gjatë punës së tyre për të eliminuar dëmet.

Ndërsa, nga konsumatorët që po mbesin pa energji elektrike ka kërkuar mirëkuptim.